SHBA heq nga lista e zezë kompaninë e Zharko Vesellinoviçit nga Kroacia

schedule20:16 - 20 Dhjetor, 2021

schedule 20:16 - 20 Dhjetor, 2021

Departamenti amerikan i Thesarit hoqi nga lista e të sanksionuarve një kompani, për të cilën më herët tha se udhëhiqet nga Zharko Vesellinoviçq, vëllai i biznesmenit nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviç.

Informacioni u publikua të hënën në ueb-faqen e këtij institucioni.

Vëllezërit Vesellinoviç, nënkryetari i subjektit politik Lista Serbe në Kosovë, Millan Radoiçiç, dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta u futën më 8 dhjetor në listën e të sanksionuarve nga Departamenti amerikan i Thesarit, nën akuzat se kanë lidhje me krimin e organizuar transnacional.

Përveç tyre, në listën e zezë u përfshinë edhe mbi njëzet kompani të tyre, me seli në Kosovë, Serbi, Kroaci dhe Bullgari.

Sipas deklaratës së lëshuar të hënën, Departamenti amerikan i Shtetit hoqi nga lista e të sanksionuarve kompaninë Nautikacentar D. O. O, e cila udhëhiqet nga Zharko Vesellinoviç dhe është e regjistruar në Kroaci.

Ai nuk dha shpjegime shtesë për vendimin.

Mohimet nga Rijeka

Kompania Nautikacentar është e regjistruar në Rijekë – qytet bregdetar në veriperëndim të Kroacisë.

Më 9 dhjetor, portali kroat Jutarnji.hr njoftoi se ka kontaktuar Zharko Vesellinoviçin, pronarin e kompanisë Nautikacentar, i cili mohoi se ka lidhje me Zvonko Vesellinoviçin dhe se është i përfshirë në krim.

Vesellinoviç po ashtu tha se do të angazhojë një avokat, i cili do t’i kërkojë Ambasadës amerikane shpjegime se si ka ndodhur që emri i tij të përfundojë në listën e zezë të SHBA-së./REL