Pesë persona kanë humbur jetën ndërsa një helikopter u rrëzua në lumin “East” në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara mbrëmjen e së dielës. Lajmi është konfirmuar nga policia amerikane. Zhytësit punuan papushim për të nxjerrë 5 pasagjerët nga helikopteri I rënë në ujë, por 2 prej tyre humbën jetën në vendngjarje ndërsa 3 të tjerë në spital.
Piloti arriti të shpëtojë veten duke u larguar nga mjeti fluturues dhe më pas u ndihmua nga një rimorkiator anijesh që po kalonte rastësisht. Helikopteri, i cili ishte marrë me qira për një set fotografish, u rrëzua pranë ishullit Roosevelt. Komisioneri i policisë James O’Neill u tha gazetarëve se ishte marrë me qira në mënyrë private nga një grup fotografësh.
Video të publikuara nga rrjetet sociale tregojnë një helicopter të kuq që duket sikur bën një ulje gjysëm të kontrolluar përpara se të rrëzohet në ujë me një lloj force. Në një konferencë për shtyp, Komisioneri I Zjarrëfikësve të Nju Jorkut, Daniel NIgro e cilësoi ngjarjen “tragjedi të madhe”.
Ai bëri me dije se puna e polumbarëve u vështirësua pasi pasagjerët kishin ngecur ne pajisjet e sigurisë. “Zhytësve iu desh kohë që të nxirrnin pasagjerët nga helikopteri. Ata punuan shumë shpejt. Po helikopteri ishte zhytur 15 metër nën ujë”, nënvizon Nigro. /abcnews.al