SHBA/ Grupet myslimane planifikojnë të bojkotojnë ftesën e Shtëpisë së Bardhë për Ramazan

schedule17:46 - 20 Mars, 2024

schedule 17:46 - 20 Mars, 2024

Udhëheqësit e fesë myslimane në Shtetet e Bashkuara, të indinjuar nga mbështetja e Presidentit Joe Biden për Izraelin, thonë se nuk do të marrin pjesë në ceremonitë e Shtëpisë së Bardhë që përkojnë me muajin e shenjtë të Ramazanit dhe festën e Bajramit. Ata kërkojnë që administrata e Presidentit Biden të ushtrojë trysni për arritjen e një armëpushimi të menjëhershëm në Gazë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara, kjo nuk është hera e parë që zemërimi i komunitetit mysliman në Shtetet e Bashkuara ka lënë në hije festimet e Shtëpisë së Bardhë me rastin e Ramazanit.

Adhurimi i Ramazanit vazhdon edhe mes rrënojave në Rafah, ku mbi një milion banorë të Gazës kërkojnë strehë si rezultat i fushatës ushtarake të Izraelit. Në fillim të këtij muaji, myslimanët amerikanë mbajtën lutje para Shtëpisë së Bardhë në Uashington. Besimtarët thonë se vuajtjet në Gazë rëndojnë shumë mbi ta.

Që prej marrjes së detyrës, Presidenti Joe Biden është takuar vazhdimisht me udhëheqësit e fesë myslimane, një traditë që Shtëpia e Bardhë e vazhdon për dekada me radhë. Presidentë republikanë dhe demokratë kanë shtruar darka iftari gjatë Ramazanit dhe organizuar pritje për festën e Bajramit. Kjo traditë filloi në kohën e Presidentit Bill Klinton.

Por këtë vit, myslimanët amerikanë që kanë marrë pjesë në darkat e mëparshme që ka shtruar Shtëpia e Bardhë, thonë se do t’i refuzojnë ftesat.

“Vendimi është për shkak të dështimit të administratës për të trajtuar kërkesat e komunitetit mysliman për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm. Po ashtu, për shkak të refuzimit për të ndaluar furnizimin e Izraelit me armë, të cilat po përdoren në një gjenocid kundër vëllezërve dhe motrave tona palestineze në Gazë”, thotë për Zërin e Amerikës Robert McCaw, Drejtor i Departamentit të Çështjeve Qeveritare në Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islame.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë i tha Zërit të Amerikës se nuk janë njoftuar ceremoni me rastin e Ramazanit.

“Ne e kuptojmë se është një kohë e dhimbshme për një numër komunitetesh. Siç e dini, zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë kanë zhvilluar takime me anëtarë të komuniteteve të ndryshme – qofshin ato arabe, myslimane apo palestineze – për të folur mbi pikëpamjet e tyre, për të shprehur shqetësimet e tyre dhe ne e mirëpresim këtë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Protestues pro-palestinezë kanë ndërprerë vazhdimisht tubimet e Presidentit Biden duke bërë thirrje në mbështetje të palestinezëve.

Por kjo nuk është hera e parë që ceremonia e Ramazanit në Shtëpinë e Bardhë përfshihet në polemika. Në vitin 2021, disa myslimanë amerikanë bojkotuan ftesën e Presidentit Biden për të festuar virtualisht Bajramin. Kjo përkoi me përshkallëzimin e dhunës në Gazë ku u vranë më shumë se 260 palestinezë.

Në vitin 2018, Presidenti Donald Trump priti diplomatë nga vende me shumicë myslimane, por nuk ftoi asnjë grup amerikan, anëtarët e të cilit kishin dënuar retorikën dhe politikat e tij, për të cilat ata besonin se ishin anti-myslimane. Shumë prej tyre thonë se zemërimi i tyre tani është shumë më i madh. Madje, disa po bëjnë fushatë aktive për t’u siguruar që zoti Biden të mos fitojë një mandat të dytë.

“Dua të sigurohem që ai ta dijë se kur të humbasë është për shkak të votave të amerikanëve arabë dhe myslimanë”, thotë demokratja Samraa Luqman, pjesëtare e fushatës “Braktise Bidenin”.

Shtëpia e Bardhë thotë se është angazhuar në mënyrë aktive me amerikanët arabë dhe myslimanë që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor. Por disa pjesëtarë të komuniteteve i kanë refuzuar takimet./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!