Shtetet e Bashkuara goditën një tjetër anije të vogël venezueliane, duke vrarë gjashtë persona. Presidenti amerikan Donald Trump tha se anija po transportonte drogë.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se sulmi ishte kryer kundër një organizate të përcaktuar si terroriste, por nuk dha detaje se për cilin grup bëhej fjalë. Një video prej rreth 30 sekondash, të cilën Trump e postoi, duket anija e palëvizshme, që goditet nga një predhë para se të shpërthejë në flakë.
Anija u godit në ujëra ndërkombëtare, pranë Venezuelës, duke u bërë sulmi i pestë që lë disa të vdekur, pasi administrata e Trump ka thanë se trafikantët e dyshuar të drogës duhet të përballen me forcë ushtarake.
Administrata republikane ka dhënë informacione të pakta mbi sulmet e mëparshme, duke përfshirë identitetin e të vrarëve ose detaje rreth ngarkesës.
Sulmet vijnë pasi tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës janë në kulmin e tyre. Presidenti venezuelian Nicolas Maduro ka pohuar vazhdimisht se SHBA-të shpresojnë ta largojnë atë nga pushteti, teksa Uashingtoni në gusht dyfishoi shpërblimin për informacionin që çon në arrestimin e tij në 50 milionë dollarë. SHBA e ka akuzuar Maduron për lidhje me trafikun e drogës dhe grupet kriminale, të cilat ai i mohon.
Në mes të këtyre tensioneve, javën e kaluar, kundërshtarja e Maduro dhe aleatja e Donald Trump, Maria Corina Machado fitoi çmimin Nobel për Paqe. Liderja e opozitës venezueliane ka mbështetur ndërhyrjen ushtarake amerikane në Venezuelë, për të përmbysur regjimin e Maduros. Pas fitores së saj, Venezuela mbylli ambasadën e saj në Norvegji, ku jepet edhe çmimi Nobel për Paqen.
/abcnews.al/

