Një gjykatë amerikane ka lejuar prokurorin Robert Mueller të vijojë hetimet mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhje. Mueller merr kështu dritën jeshile për procedimin e një kompanie ruse lobimi që thuhet se ka mbështetur Trump në presidencialet e 2016-s.
Një gjykatë amerikane ka mbështetur të hënën vazhdimin e hetimeve mbi çështjen “Russiagate”, të kryesuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller. Në këtë mënyrë, gjykata i ka hapur rrugë procedimit ndaj një kompanie ruse, e akuzuar se ka financuar një fushatë propagande në ndihmë të Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 2016-s.
Gjykata e rajonit të Kolumbias ka hedhur poshtë argumentet e kompanisë “Concord Management and Consulting” se Mueller ishte caktuar në detyrë në mënyrë të paligjshme dhe se nuk kishte autoritet për të hetuar. “Me hetimin dhe procedimin e kompanisë, hetuesi i posaçëm nuk i ka tejkaluar kompetencat e tij”, thuhet në vendimin e drejtësisë.
Prokurorët që po hetojnë çështjen “Russiagate” vlerësojnë se “Concord” kontrollohet nga Evgeny Prigozhin, një biznesmen i afërt me presidentin rus Vladimir Putin, si dhe i lidhur me sistemin politik e ushtarak rus.
Kompania në fjalë renditet mes tre subjekteve dhe 13 individëve rusë të paditur nga hetuesi i posaçëm për komplote kriminale dhe spiunazhi, me qëllim ndërhyrjen në zgjedhje në mbështetje të Trump dhe për të dëmtuar rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton.
Nga ana e saj, Moska ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa Trump ka deklaruar se nuk është mpleksur kurrër me palën ruse dhe e cilëson “Russiagate” një gjueti shtrigash. /abcnews.al