Gjykata e Lartë në Amerikë ka miratuar një vendim që rëndon pozitat e emigrantëve të mbajtur në gjendje burgimi, në pritje të dëbimit nga vendi.
Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara ka marrë këtë të martë një vendim kundër emigrantëve që mbahen në gjendje burgimi në pritje të dëbimit nga vendi.
Vendimi u heq atyre të drejtën për t’u dëgjuar në një proces gjyqësor për të kërkuar lirinë deri në momentin e largimit, duke qenë në të njëjtën linjë me politikat e presidentit Trump për emigracionin. Gjithashtu vendimi, i miratuar me 5 vota pro dhe 3 kundër, hedh poshtë atë të një instance gjyqësore më të ulët që e parashikonte këtë të drejtë për emigrantët, si dhe padinë e bërë nga Sindikata për Liritë Civile, që kishte sfiduar praktikat e Shtëpisë së Bardhë.
Nga ana e saj qeveria amerikane argumenton se seancat dëgjimore mund të lejohen në disa instanca gjyqësore, por kundërshton miratimin e një amendamenti që i lejon ato. Mes personave që kishin paditur praktikën e presidentit Trump ishin emigrantë të ndaluar në kufi, në përpjekje për të hyrë në mënyrë ilegale në Shtetet e Bashkuara, të tjerë që jetojnë atje në mënyrë ligjore përmes së ashtuquajturës “karta jeshile” dhe emigrantë të dënuar për kryerje krimesh./abcnews.al