SHBA, gati planin e paqes për Lindjen e Mesme

schedule17:05 - 12 Shkurt, 2019

schedule 17:05 - 12 Shkurt, 2019

Administrata amerikane ka bërë gati planin për paqen në Lindjen e Mesme. Por edhe pse nuk është publikuar ende, ky plan është refuzuar nga autoritetet palestineze, që vazhdojnë të kritikojnë politikat e Trump në Lindjen e Mesme.

Plani për paqen në Lindjen e Mesme i hartuar nga administrata amerikane është gati dhe i është paraqitur presidentit Donald Trump. Lajmin e bën të ditur “Fox News”, që citon burime qeveritare, sipas të cilave njoftimi zyrtar për planin do të bëhet pas zgjedhjeve të 9 prillit në Izrael. Trump u informua për planin nga ambasadori amerikan në Izrael, Dejvid Frimen, dhëndri i tij Xhared Kushner dhe i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, Xhejzon Grinblet. Burimet qeveritare refuzojnë të japin detaje mbi përmbajtjen e tij duke nënvizuar se aksesi tek dokumenti është rreptësisht i kufizuar, por thonë se ka disa opsione për të ardhmen e rajonit, përfshirë këtu paqen mes Izraelit dhe Palestinës.

Ekspertët mendojnë se plani i paqes do të jetë efikas mes të tjerash edhe për të frenuar ambicjet e Iranit në rajonin e Lindjes së Mesme. Ndërkohë, palestinezët kanë refuzuar ftesën e bërë nga autoritetet amerikane për ditën kur do të prezantohet plani. I pyetur nga “Fox News”, presidenti Mahmud Abaz ka deklaruar se veprimet e deritanishme të presidentit Donald Trump në Lindjen e Mesme nuk kanë qenë aspak inkurajuese, ndaj dhe pritshmëritë nga plani i tij janë negative. Sidoqoftë, këshilltarët Kushner dhe Grinblet do të udhëtojnë javën e ardhshme në Europë dhe më pas në vendet arabe për t’ua prezantuar planin aleatëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!