Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare ka lëshuar një paralajmërim për sulme të mundshme terroriste në përvjetorin e 11 Shtatorit.
Buletini i Sistemit Këshillimor për Terrorizmin Kombëtar tha se Shtetet e Bashkuara përballen me një “mjedis kërcënimi të shtuar” nga terroristët vendas “dhe ata të frymëzuar ose të motivuar nga terroristët e huaj dhe ndikimet e tjera të huaja”.
Në raport citohet rritja e përdorimit të forumeve në internet për të ndikuar dhe përhapur narracionet ekstremiste të dhunshme dhe për të promovuar aktivitetin e dhunshëm”.
Alarmi i radhës nga Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare vjen pas atij të bërë në janar pas sulmit ndaj Kongresit Amerikan nga mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump. Mundësia për të kryer sulme terroriste duket se favorizohet edhe nga kushtet e krijuara nga Covid-19 në vend.
“Ekstremistët mund të kërkojnë të shfrytëzojnë shfaqjen e varianteve të Covid-19 duke parë rivendosjen e mundshme të kufizimeve të shëndetit publik në të gjithë Shtetet e Bashkuara si një arsye për të kryer sulme.” /abcnews.al/