Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

SHBA dhe Izraeli sulmojnë Iranin/ Raketat bombardojnë Teheranin, Khamenei jashtë kryeqytetit

schedule15:05 - 28 Shkurt, 2026

schedule 15:05 - 28 Shkurt, 2026

Fuçia e barutit në Lindjen e Mesme ka shpërthyer sërish! Shtetet e Bashkuara dhe Irani nisën mëngjesin e së shtunës sulmet e paralajmëruara ndaj Iranit.

Raketat goditën Teheranin, me sulmin e parë që u raportua pranë zyrave të Liderit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se Khamenei ndodhet jashtë kryeqytetit, në një vend të sigurt nga sulmet amerikane dhe izraelite.

Khamenei dhe presidenti i vendit, Masoud Pezeshkian, ishin objektiva të sulmeve, por nuk ndodheshin në rezidencat e tyre kur raketat goditën Teheranin.



Irani tha se sulmet ajrore vranë 40 nxënëse në një shkollë vajzash, viktimat e para të konfirmuara në përshkallëzimin e konfliktit.

Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi sulmet, pjesë e operacionit të quajtur “Furia Epike”, dhe tha se objektivi është mbrojtja e popullit amerikan.

“Ushtria filloi operacione të mëdha luftarake në Iran. Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian, një grup i egër njerëzish shumë të ashpër dhe të tmerrshëm. Aktivitetet e tij kërcënuese rrezikojnë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, trupat tona, bazat tona jashtë shtetit dhe aleatët tanë në të gjithë botën”, tha Trump.

Trump tha se Irani nuk hoqi dorë nga programi i tij bërthamor dhe raketor, ndërsa pranoi se nga operacioni ushtarak mund të ketë viktima mes radhëve të forcave amerikane.

“Administrata ime ka ndërmarrë çdo hap të mundshëm për të minimizuar rreziqet për personelin amerikan në rajon. Megjithatë, dhe nuk e bëj këtë deklaratë lehtë, regjimi iranian kërkon të vrasë. Jetët e heronjve të guximshëm amerikanë mund të humbasin dhe mund të kemi viktima, gjë që ndodh shpesh në luftë”, shtoi presidenti i SHBA-së.

Presidenti amerikan paralajmëroi regjimin e Teheranit dhe u kërkoi të ulin armët, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të vendit të marrin në kontroll qeverinë e tyre.

Sulmi u konfirmua edhe nga aleati i Uashingtonit, Benjamin Netanyahu. Kryeministri izraelit tha se sulmet do të vazhdojnë për sa kohë të jetë e nevojshme.

Pak pas nisjes së sulmeve dhe deklaratave të liderëve përkatës, nuk vonoi as përgjigjja e Iranit. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit njoftoi nisjen e kundërsulmeve, që u konfirmuan edhe nga ushtria izraelite. Izraeli shpalli gjendjen e emergjencës, ndërsa sirenat u dëgjuan mbi disa qytete të vendit.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Irani shënjestroi edhe objektet amerikane në rajon. Sulme nisën ndaj një baze amerikane në Bahrein, një aleat kyç i amerikanëve në Gjirin Persik, ku ndodhet selia e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane, që ishte në shënjestër të sulmeve me raketa.

Sulmet e Iranit goditën edhe bazën më të madhe amerikane në rajon, Al Udeid në Katar, dhe bazën në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u shënua të paktën një viktimë. Sulme pati edhe në objektet amerikane në Kuvajt dhe Jordani.

Kompani të mëdha kanë pezulluar fluturimet në Lindjen e Mesme, ndërsa disa vende kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore.

Pamjet e publikuara në aeroportin ndërkombëtar të Dubait treguan qindra njerëz në pritje, teksa hapësira ajrore e vendit është mbyllur.

Përshkallëzimi ushtarak vjen pas disa javëve negociata të dështuara mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për programin bërthamor të Iranit. Donald Trump kishte paralajmëruar disa herë sulme, sidomos gjatë dhe pas protestave kundër regjimit në Lindjen e Mesme, që lanë më shumë se 7 mijë të vrarë. Demonstratat masive erdhën në rënie, por shkaktuan një zemërim të shtuar ndaj regjimit të Ajatollah Khameneit.

Uashingtoni kishte mbledhur tashmë një forcë të madhe ushtarake në rajon dhe kishte dërguar dy luftëanijet më të mëdha në botë, në përgatitje të ndërhyrjes ushtarake.

Ky është sulmi i dytë brenda më pak se një viti i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit. Sulmet e qershorit të vitit të kaluar shënjestruan objektet bërthamore të Iranit, në një luftë që zgjati 12 ditë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!