Departamenti amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Europian kanë shprehur zhgënjimin për mbylljen nga policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit.
Njëzëri SHBA dhe BE kanë thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se përshkallëzon tensionet.
Diplomati nga Kosova, Blerim Canaj, në një intervistë në “Balkan Update” në ABC News, u shpreh kritik ndaj qeverisë Kurti duke thënë se deri më tani ka marrë hapa pa u koordinuar me ndërkombëtarët, duke nxitur në këtë mënyrë vetëm konflikte.
“Nëse ne deri para pak vitesh kemi qenë faktor stabiliteti, tani jemi bërë çështje sigurie, kjo për shkak të veprimeve të qeverisë. Të gjitha veprimet janë të pakoordinuara me partnerët, Dhe shihet një situatë shumë e ndjeshme e sigurisë. Duke pasur parasysh rrezikun, janë disa çështje që prekin popullatën dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe nuk duhet të bëhen veprime të pakoordinuara me SHBA”, tha ai.