SHBA dhe 28 vende tjera dënojnë bllokimin e internetit në Bjellorusi

schedule08:31 - 18 Shtator, 2020

schedule 08:31 - 18 Shtator, 2020

Njëzet e nëntë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë, lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke dënuar Bjellorusinë për mbylljen e Internetit dhe bllokimin e disa faqeve pas zgjedhjeve presidenciale “të manipuluara” muajin e kaluar.

“Krahas masave kufizuese dhe kërcënimeve të përdorura kundër kandidatëve të opozitës dhe arrestimeve masive të anëtarëve të shoqërisë civile dhe gazetarëve bjellorusë, veprimet për të kufizuar hyrjen në internet, duke përfshirë mediat sociale dhe platformat e tjera të komunikimit, shkatërrojnë më tej hapësirën qytetare”, tha deklarata e lëshuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së.

Autoritetet bjelloruse kanë ndërprerë vazhdimisht internetin dhe kanë kufizuar hyrjen në faqet e internetit të mediave të pavarura. Ky veprim është bërë në përpjekje për të kontrolluar informacionin dhe për të penguar organizimin e protestave.

Në deklaratë, 29 vendet thanë se do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë njerëzve të Bjellorusisë, derisa ata përpiqen të ngrisin zërin e tyre pavarësisht “masave shtypëse”.

“Ndërprerjet dhe kufizimet gjithashtu kufizojnë shpërndarjen dhe rrjedhën e lirë të informacionit, dëmtojnë aktivitetin ekonomik, kontribuojnë në çrregullime shoqërore dhe politike dhe ndikojnë negativisht në sigurinë publike”, tha deklarata.

Bjellorusia është përfshirë nga protestat kundër regjimit qysh pas zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, të cilat i kanë dhënë presidentit, Alyaksandr Lukashenka, edhe një mandat gjashtëvjeçar.

Mijëra protestues janë arrestuar ose rrahur nga policia.

Protestuesit dhe opozita bjelloruse thonë se zgjedhjet janë manipuluar dhe kërkojnë proces të ri votimesh, të lirë dhe të drejtë.

Lukashenka, i cili është në pushtet qysh në vitin 1994, i ka mohuar akuzat për manipulim të votave./REL