SHBA/ Dështon votimi për Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve

schedule23:09 - 17 Tetor, 2023

schedule 23:09 - 17 Tetor, 2023

Republikanët refuzuan kandidaturën e Ligjvënësit Jim Jordan për Kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve gjatë raundit të parë të votimit. Duke mos votuar në favor të tij, disa prej ligjvënësve republikanë ia mohuan kështu aleatit të vendosur të ish-Presidentit Donald Trump shumicën që i nevojitej për të marrë këtë post.

Raunde të tjera votimesh pritet të mbahen në të ardhmen, ndërsa ligjvënësi Jordan po punon të sigurojë mbështetje më të madhe për të zëvendësuar kryetarin e shkarkuar me votim, Kevin McCarthy, dhe për të marrë kështu, si përfaqësues i krahut më konservator të Partisë Republikane, një post qendror në hierarkinë e Shteteve të Bashkuara.

Por, pas gati dy javësh përplasjesh të brendshme në radhët e republikanëve që nga momenti i shkarkimit me votim të zotit McCarthy nga ligjvënësit më konservatorë, votimi në Dhomën e Përfaqësuesve nuk solli një zgjidhje për postin e kryetarit. Rreth 20 ligjvënës republikanë vazhduan të refuzojnë t’i japin votën e tyre ligjvënësit Jordan nga shteti i Ohajos, të cilin e konsiderojnë me pikëpamje më ekstreme se ç’duhet për postin e fuqishëm të Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, i dyti për nga hierarkia e kalimit të pushtetit presidencial.

Ligjvënësit që refuzuan kanë një përqasje përgjithësisht pragmatiste. Në radhët e tyre ka anëtarë të hershëm të legjislaturës, apo kryetarë komisionesh që kanë shqetësimet e tyre për qeverisjen, si dhe deri tek ligjvënës të rinj nga distriktet ku votuesit e tyre preferojnë Presidentin Joe Biden përkundër ish-Presidentit Donald Trump.

Për të marrë këtë post të lartë, ligjvënësit Jordan i duhet të fitojë mbështetjen e pothuajse shumicës së plotë të kolegëve të tij republikanë gjatë votimit në plenare, ndërsa demokratët qëndrojnë të sigurtë në mbështetjen e të propozuarit prej tyre, drejtuesit demokrat Hakeem Jeffries nga Nju Jorku.

Me republikanët që kanë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve, 221 me 212, Ligjvënësi Jordan duhet të humbasë sa më pak vota të jetë e mundur, dhe të arrijë pragun prej 217 votash, nëse nuk mungojnë ligjvënës të tjerë gjatë votimit.

Ligjvënësi Jordan ka qenë ndër aleatët kryesorë të ish-Presidentit Trump, në veçanti gjatë sulmit të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit nga mbështetësit e tij në përpjekje për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhje përballë demokratit Joe Biden. Pak ditë më vonë, ish-Presidenti Trump i dha ligjvënësit Jordan “Medaljen e Lirisë”.

Tashmë si kandidati kryesues i Partisë Republikane përballë Presidentit demokrat Joe Biden për zgjedhjet e vitit 2024, ish-Presidenti Trump mbështeti që në fillim ligjvënësin Jordan për të zënë vendin e ish-Kryetarit McCarthy dhe u pozicionua kundër kandidaturës së ligjvënësit Scalise, i cili u tërhoq javën e kaluar pasi ligjvënësit republikanë nuk iu përmbajtën rregullave të tyre të brendshme për të mbështetur kandidatin e partisë./VOA