SHBA dënon një rus që u përfshi në sulme kibernetike

schedule11:38 - 10 Dhjetor, 2021

schedule 11:38 - 10 Dhjetor, 2021

Shtetasi rus, Oleg Koshkin është dënuar me katër vjet burgim pasi ka operuar shërbime që u kanë ndihmuar hakerëve të vendosin viruse në kompjuterë në mbarë botën, njoftoi Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Koshkin, 41 vjeç, nga Estonia, raportohet se kishte operuar disa ueb-faqe që ofronin softuer që mundësonin shpërndarjen e viruseve të ndryshme kompjuterike dhe që virtualisht ishin të padetektueshme.

“I pandehuri kishte ofruar shërbime kritike që u përdorën nga kriminelët kibernetikë për të shmangur një nga mbrojtjet e para të sigurisë kibernetike, antivirusin”, tha ndihmësprokurori i Përgjithshëm, Kenneth A. Polite Jr.

“Kriminelët kibernetikë varen nga shërbime të tilla për të infektuar me viruse kompjuterët në botë”, shtoi ai.

Më 15 qershor, Koshkin ishte dënuar nga një juri federale për konspiracion për mashtrim me kompjuter dhe për shkelje dhe mashtrim me kompjuter.

Ai i kishte ofruar shërbime shtetasit rus, Pyotr Levashov një prej operatorëve të rrjetit “Kelihos”, që kishte kryer sulme kibernetike ndaj 50,000 kompjuterëve, përpara se Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ta shkatërronte këtë rrjet.

Koshkin ishte arrestuar në Kaliforni më 2019. Ndërkaq, i pandehuri tjetër në këtë rast, Pavel Tsurkan më 16 qershor ishte deklaruar fajtor për dëmtimin e kompjuterëve, një vepër penale e dënueshme deri në dhjetë vjet burgim. Megjithatë, ai ende po pret seancën për shqiptimin e dënimit./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!