Demokratët në Shtetet e Bashkuara i kanë bërë të qartë presidentit Trump se do t’ia bllokojnë marrëveshjen që ai dëshiron të nënshkruajë me Britaninë e Madhe pas Breksit. Për demokratët, që kontrollojnë shumicën në Kongres, për çdo marrëveshje duhen marrë parasysh efektet anësore të saj.
Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se nuk do ta lejojnë një marrëveshje tregtare me Britaninë, nëse ajo minon akordin e paqes së Irlandës, e njohur si Marrëveshja e së Premtmes së Mirë.
Paralajmërimi është bërë nga kryetarja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nensi Pelozi, e cila ka theksuar se dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja nuk mund të pranohet nëse vë në rrezik marrëveshjen në fjalë.
Komentet e saj vijnë pasi këshilltari i presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Xhon Bolton deklaroi se Britania e Madhe do të jetë e para në radhë për një marrëveshje tregtare sapo të lërë Bashkimin Europian.
Vetë Bolton foli pas një takimi të zhvilluar në Londër me kryeministrin britanik Boris Xhonson. Rivendosja e kontrolleve kufitare mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës nëse Mbretëria e Bashkuar largohet pa një marrëveshje më 31 Tetor shihet si kërcënim për paktin e vitit 1998, Marrëveshja e së Premtes së Mirë, që i dha fund dekadave gjakderdhje në Irlandën e Veriut.
“Çfarëdo forme që të marrë, Breksit nuk mund të lejohet të vërë në rrezik këtë marrëveshje, përfshirë kufirin pa vijë ndarëse mes Republikës Irlandeze dhe Irlandës së Veriut”, tha Pelosi./ABC News Albania 24/7