SHBA, Britania e Franca sulmojnë objektet qeveritare në Siri

schedule09:22 - 14 Prill, 2018

schedule 09:22 - 14 Prill, 2018

Ndodhi ajo që ishte paralajmëruar. Mëngjesin e sotëm SHBA, Britania dhe Franca bombarduan disa objekte qeveritare në Siri që shërbenin për kërkimin dhe magazinimin e armëve kimike. Pentagoni raportoi se u godit me raketa një strukturë kërkimore shkencore në Damask për prodhimin e armëve kimike dhe biologjike dhe dy magazina në Homs që shërbenin për mbajtjen e armëve kimike.

Në sulmin e SHBA-së dhe aleatëve ndaj regjimit sirian janë përdorur raketa “Tomahaëk” dhe avionë ushtarak. Presidenti i SHBA Donald Trump njoftoi fillimin e sulmeve kundër Sirisë me një mesazh drejtuar kombit amerikan. Ai tha se një operacion i kombinuar me forcat e armatosura të Francës dhe Britanisë është në proces. Televizioni shtetëror sirian raportoi se 3 civilë u plagosën nga bombardimet me raketa të SHBA dhe aleatëve në qytetin Homs. Lidhur me sulmin me raketa ndaj regjimit sirian reaguan edhe Britania dhe Rusia.

Kryeministrja britanike, Theresa May tha se nuk mund të lejohet që Siria të përdorë armë kimike. Në mbështetje të këtij sulmi u deklarua dhe NATO , BE dhe Turqia.  Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk tha pas sulmit me raketa në Siri, se BE qëndron në krah të aleatëve. Sipas tij, Rusia dhe Irani nuk mund të vazhdojnë tragjeditë njerëzore.

Ndërsa Ambasadori rus në SHBA, Anatoly Antonov tha se sulmet e SHBA, Britanisë dhe Francës në Siri nuk do të mbeten pa pasoja. Por SHBA dhe aletatët deklarojnë se sulmi ishte i ligjshëm dhe i limituar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!