I dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka kërkuar heqjen e vizave për Kosovën, në prag të takimit të nesërm me palën serbe nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Grenell shprehet se BE nuk duhet të ankohet, por t’u liberalizojë vizat që ua ka premtuar kosovarëve.
“Në vend se të ankoheni, pse nuk ua jepni liberalizimin e vizave popullit të Kosovës – të cilin po e premtoni për shumë vite” shkruan Grenell.
Ndërkohë që kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani ka akuzuar Presidentin serb Vuçiç se e shkeli marrëveshjen 24 orë pasi e firmosi.
“Vuçiçit iu deshën pak më shumë se 24 orë për të shkelur pikën 15 të zotimeve që ai nënshkroi në D.C., e cila u kërkon atyre të ndërpresin fushatën çnjohjeve dhe të përmbahen nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare nga të tjerët që të mos e njohin Kosovën. Kaq tipike për Serbinë”, shkroi ajo Osmani në Twitter.
Presidenti serb tha sot se izraelitët janë “miq tanë, vëllezër dhe shpresoj se kështu do të mbetet dhe i lus edhe njëherë që të mendojnë se çfarë vendimi do të marrin”.
Po sot, Vuçiç theksoi se duhet pritur reagimi i presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan ndaj liderëve të Kosovës, pasi Prishtina zyrtare tha se do të hapë së shpejti ambasadën në Jerusalem.
“I kuptoj lojërat politike në të cilat dikush dëshiron të thotë se edhe një vend mysliman e pranon Izraelin, duke aluduar në Kosovën. Shumë mirë nëse Kosova e pranon Izraelin, por së pari Izraeli duhet ta pranojë Kosovën, e atëherë Kosova ta bëjë punën e saj…Ta shohim se çfarë do t’i thotë Erdogani Hashim Thaçit e Avdullah Hotit”, tha Vuçiç.db/abcnews.al