SHBA, arrestohen dy shtetas kinezë për mashtrime me kriptovaluta

schedule21:28 - 17 Maj, 2024

schedule 21:28 - 17 Maj, 2024

Autoritetet amerikane kanë ngritur akuza ndaj dy shtetasve kinezë për mashtrimin e disa viktimave me kriptovaluta që kapin shumën prej të paktën 73 milionë dollarë, njoftoi Departamenti i Drejtësisë të premten.

Organet e rendit arrestuan të enjten Yicheng Zhang në qytetin Los Anxhelos, sipas të dhënave të një gjykate në Kaliforni. Daren Li me shtetësi kineze dhe nga Shën Kitts dhe Nevis, u arrestua në aeroportin e Atlantës në muajin prill.

Autoritetet amerikane i akuzojnë dy të arrestuarit për mashtrimin e investitorëve në tregun e monedhave kripto, një industri globale prej disa miliarda dollarësh.

Të pandehurit dyshohet se kanë udhëzuar bashkëpunëtorët e tyre që të hapin llogari bankare në Shtetet e Bashkuara në emër të kompanive guackë.

Viktimat u mashtruan që të depozitonin para përmes veprimeve kibernetike në llogaritë e krijuara, fonde që më pas u pastruan përmes institucioneve amerikane drejt bankave në Bahamas.

“Ndërsa mashtrimet në tregjet e kriptovalutave realizohen në forma të ndryshme dhe fshihen në vende shumë të largëta, autorët nuk mund t’i shpëtojnë drejtësisë”, tha Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara Lisa Monaco.

Dy të ndaluarit akuzohen për konspiracion për pastrim parash dhe gjashtë akuza për pastrim ndërkombëtar parash. Nëse gjenden fajtorë, të pandehurit përballen me një dënim maksimal prej 20 vitesh burg për secilën akuzë, tha Departamenti i Drejtësisë./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!