SHBA akuzon Afrikën e Jugut për dërgimin e armëve dhe municioneve në Rusi

schedule21:18 - 11 Maj, 2023

schedule 21:18 - 11 Maj, 2023

Ambasadori amerikan në Pretoria akuzoi Afrikën e Jugut, për mbështetje ushtarake për Rusinë, pavarësisht neutralitetit që kishte deklaruar në luftën në Ukrainë.

Sipas ambasadorit të SHBA Ruben Brighetti, Shtetet e Bashkuara besojnë se “armët dhe municionet ishin ngarkuar” në një anije ruse, e cila u ankorua pranë Cape Town në fillim të dhjetorit, “para se të nisej për në Rusi”.

Një burim i pranishëm në takim ka konfirmuar deklaratat e ambasadorit amerikan për agjencinë franceze të lajmeve AFP. Por ambasada amerikane, e kontaktuar nga AFP, nuk ka dashur të konfirmojë apo mohojë këto deklarata.

” Ndër gjërat që kemi vënë në dukje është ankorimi i anijes tregtare ruse Lady R në (portin e) Simon Town midis 6 dhe 8 dhjetorit 2022, në të cilën jemi të sigurt se armët dhe municionet ishin ngarkuar ndërsa ajo u kthye në Rusi”, tha Brighetti gjatë takimit me gazetarët, sipas Reuters.

Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Ankorimi i anijes ruse të mallrave në bazën më të madhe detare të vendit, Simon Town, kishte shkaktuar protesta në Afrikën e Jugut përpara Krishtlindjeve.

Partia kryesore e opozitës i kishte bërë thirrje qeverisë të shpjegonte se si u lejua të ankorohej një anije ruse e shënjestruar nga sanksionet perëndimore.

Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa tha sot se qeveria e tij do të shqyrtojë raportet se vendi i tij ka dërguar armë në Rusi.

“Çështja është duke u shqyrtuar dhe në kohën e duhur ne do të jemi në gjendje të flasim për të,” u tha Ramaphosa deputetëve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!