SHBA, 61 miliardë dollarë për Ukrainën/ Koloneli: Ndihma do të ketë efekt në muajt në vijim. Në 2025, mund të…

schedule21:30 - 29 Prill, 2024

schedule 21:30 - 29 Prill, 2024

Pak ditë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës miratuan paketën prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën. Për këtë po diskutohet mbrëmjen e së hënës në emisionin “360 gradë” me gazetarin Artur Zheji. Kolonel Çlirim Toci thotë se efekti i ndihmës amerikane do të ‘ndihet’ në muajt në vijim.

“Vendimi është i vonuar. Një pjesë e republikanëve e vonuan vendimin për disa muaj. Duhet të ishte miratuar. Ushtarakisht efektin do ta ketë. Nuk do të ndihet në ditët në vijim por në muajt që vijnë. në 2024, efekti i mbështetjes amerikane do të jetë për të fuqizuar pozicionet mbrojtëse të Ukrainës. Në 2025, Ukraina mund të bëhet gati të kalojë në kundërofensivë.”, u shpreh Toci.

Nga ana tjetër, ish oficeri Dritan Goxhaj thotë se ndihma amerikane nuk do të ketë asnjë efekt. Kapiteni Artur Meçollari shtoi se rusët nuk kanë arritur një avantazh të madh në Ukrainë, pasi në dy vite luftë kanë arritur të zotërojnë 550 km katror, rreth 0.5 për qind të sipërfaqes së vendit.

Ndërkohë, Edvin Kulluri, ish sekretar në ministrinë e Mbrojtjes, thotë se Rusia, në këto dy vite luftë, tregoi se nuk ishte ajo superfuqi që pretendonte të ishte.

“Është përplasje politike dhe jo lojë luftërash. Ajo që është e rëndësishme është vendosmëria e SHBA për të ndihmuar Ukrainën sepse ka dy dobësi. E para, ka masën, një ushtri më e vogël se ajo ruse dhe së dyti, problemin e nivelit teknologjik në fillim të luftës që nuk ishte ai i Rusisë. Perëndimi duke qenë demokratik ka edhe debate brenda. NATO nuk është shtet federal apo unitar dhe shpejtësia e ndihmave ka qenë e ndryshme. SHBA është vend demokratik me debate të brendshme që në Rusi nuk ekziston.  Kur avancimi rus në këtë situatë avantazhi ka qenë 550 km katror, 0.5 për qind të sipërfaqes, Rusia nuk është se ka fituar avantazh të madh sa të themi që është një hap përpara moralisht. E vërteta është që rusët prej 2 vitesh hynë me plane të tjera. Mesa duket pushtimi i një vendi të madh është problematik. Nuk e zotëruan dot këtë luftë dhe treguan se nuk janë ajo fuqia që pretenduan të jenë.“, tha Kulluri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!