Shansi i humbur me Greqinë, Bushati: Precedentët që duhen patur parasysh për ndarjen e detit

schedule11:07 - 26 Janar, 2021

schedule 11:07 - 26 Janar, 2021

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati është ndalur sërish tek cështja e delimitimit të hapësirës detare Shqipëri-Greqi, zhvillimet më të fundit në lidhje me këtë cështje dhe mësimet që duhet të nxjerrë shqipëria nga gjithë këto zhvillime. Në një shkrim të gjatë me titull: “Dy ndryshime dhe një mësim”, ish-ministri ndalet gjerësisht tek përfundimi I marrëveshjeve të delimitimit të hapësirave detare me Italinë dhe Egjyptin, rifillimit të diskutimeve eksploratore me Turqinë si dhe deklarimit publik se delimitimi i hapësirave detare me Shqipërinë do të kryhet nga një gjykatë ndërkombëtare.

Bushati thekson se “Vendimi i Greqisë për të zgjeruar detin territorial në 12 milje në detin Jon është një mesazh i qartë politik që reflekton ndryshimet e dy viteve të fundit”.

Megjithëse ky hap i Greqisë ka efekte vetëm në zgjerimin e hapësirës së ujërave territoriale në detin Jon, ndërkohë që Turqia e konsideron çdo zgjerim në Egje një casus belli, është e qartë se jemi para një ndryshimi të qëndrimit tradicional të politikës së jashtme greke, e cila ka synuar gjithnjë që zgjerimin e Detit Territorial ta niste fillimisht nga Egjeu. Pra, ky ndryshim qëndrimi synon të diferencojë trajtimin e çështjeve të delimitimit të hapësirave detare me Turqinë, përkundrejt vendeve të tjera, por, duke përfituar sa të jetë e mundur nga precedentët që krijohen.

Rifillimi i diskutimeve eksploratore greko-turke, më shumë sesa një zgjidhje të problematikës së majisur mes dy vendeve, synon qetësimin e ujërave mes tyre, evitimin e sanksioneve të BE-së ndaj Turqisë, duke njohur rolin e pazëvendësueshëm të kësaj të fundit në Mesdhe dhe Lindje të Mesme, në pritje të një fotografie më të qartë të ekuilibrave të rinj në rajon, që priten të vendosen me administratën e re amerikane të Presidentit Biden.

Në kushtet kur Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen një gjykate ndërkombëtare për delimitimin e hapësirave detare, qasja e re e Greqisë në ushtrimin e të drejtës së detit dhe precedentët e krijuar, duhet të shërbejnë si mësim për ne, për një orientim sa më të mirë, me qëllim arritjen e një ndarje të drejtë e të ndershme në detin Jon.

Nuk duhet harruar se marrëveshja e vitit 2009 ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, injoroi në kurrizin tonë precedentin e vendosur që në vitin 1977, për uljen e peshës së ishullit Othonoi në Shelfin Kontinental përballë tokës kontinentale. Precedent ky i konfirmuar edhe në marrëveshjet e fundit Itali-Greqi dhe Greqi-Egjipt.

Marrëveshjet e mësipërme vlejnë për të kuptuar se pavarësisht legjislacionit të brendshëm për gjerësinë e detit territorial, përparësi merr gjithnjë e drejta ndërkombëtare e detit dhe pasqyrimi i parimit të 12 miljeve në tërrenin gjeografik përkatës.

Greqia ndan Det Territorial vetëm me Shqipërinë dhe Turqinë, sepse distancat ndërmjet brigjeve janë më të vogla se 24 milje. Për pasojë, në dallim nga rastet e mësipërme me Italinë dhe Egjyptin, ku parimi i 12 miljeve përfitohet automatikisht nga Konventa e të Drejtës së Detit të Montego Bay, pa pasur nevojën e përcaktimit të një vije delimituese për Detin Territorial, në rastet Shqipëri-Greqi dhe Greqi-Turqi duhet të përcaktohen edhe vijat delimituese në Detin Territorial.

Precedentët e vendosur, sidomos në rajon, janë orientues për pritshmëritë dhe rezultatet e procesit gjyqësor që do të zhvillohet me Greqinë për delimitimin e hapësirës detare. Ndaj, lipset një qasje sistematike e institucioneve tona për të punuar në vijimësi për përmbylljen e proceseve të delimitimit edhe me Italinë e Malin e Zi, si prioritet strategjik dhe pse jo krijimin e precedentëve nga ana jonë. Tek e fundit, ushtrimi i së drejtës së detit duhet të rikonfirmojë rëndësinë e dimensionit mesdhetar të politikës sonë të jashtme, shkruan ai.

Statusi i plotë

DY NDRYSHIME DHE NJË MËSIM
Vendimi i Greqisë për të zgjeruar detin territorial në 12 milje në detin Jon është një mesazh i qartë politik që reflekton ndryshimet e dy viteve të fundit. Ky është zgjerimi i parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe vjen pas përfundimit të marrëveshjeve të delimitimit të hapësirave detare me Italinë dhe Egjiptin, rifillimit të diskutimeve eksploratore me Turqinë, sikundër deklarimit publik se delimitimi i hapësirave detare me Shqipërinë do të kryhet nga një gjykatë ndërkombëtare.
Megjithëse ky hap i Greqisë ka efekte vetëm në zgjerimin e hapësirës së ujërave territoriale në detin Jon, Kryeministri Mitsotakis deklaroi se, është në të drejtën e Greqisë të zgjerojë ujërat e saj territoriale kurdo dhe kudo që ajo zgjedh, përfshirë jugun e Kretës dhe gjetkë.
Ky qëndrim, bazohet në deklaratën shoqëruese të ratifikimit të Konventës të së Drejtës së Detit të Montego Bay nga ana e Greqisë, ku pranohet zbatimi përkohësisht i gjerësisë prej 6 miljesh të detit territorial, duke gëzuar të drejtën e zgjerimit në 12 milje, në çdo moment të përshtatshëm.
Mirëpo, në kushtet kur Turqia e konsideron çdo zgjerim në Egje një casus belli, është e qartë se jemi para një ndryshimi të qëndrimit tradicional të politikës së jashtme greke, e cila ka synuar gjithnjë që zgjerimin e Detit Territorial ta niste fillimisht nga Egjeu.
Pra, ky ndryshim qëndrimi synon të diferencojë trajtimin e çështjeve të delimitimit të hapësirave detare me Turqinë, përkundrejt vendeve të tjera, por, duke përfituar sa të jetë e mundur nga precedentët që krijohen.
Rifillimi i diskutimeve eksploratore greko-turke, më shumë sesa një zgjidhje të problematikës së mahisur mes dy vendeve, synon qetësimin e ujërave mes tyre, evitimin e sanksioneve të BE-së ndaj Turqisë, duke njohur rolin e pazëvendësueshëm të kësaj të fundit në Mesdhe dhe Lindje të Mesme, në pritje të një fotografie më të qartë të ekuilibrave të rinj në rajon, që priten të vendosen me administratën e re amerikane të Presidentit Biden.
Ndryshimi tjetër lidhet me heqjen dorë nga pozicioni tradicional grek për t’u dhënë ishujve fuqi sa më maksimale në delimitim përballë tokës kontinentale. Ky ndryshim evidentohet qartë në përmbylljen e marrëveshjes për hapësirat detare me Italinë dhe me Egjiptin.
Italia dhe Greqia kanë nënshkruar më 24 Maj 1977 marrëveshjen për delimitimin e Shelfit Kontinental mes tyre. Dhënia e një efekti jo të plotë për ishullin grek të Othonoit ka shkaktuar një modifikim të vijës me distanca të barabarta, me qëllim që të arrihet një zgjidhje e drejtë. Thënë ndryshe, palët kanë rënë dakord për një ulje të peshës së ishullit grek prej 3.5% përballë tokës kontinentale italiane. Ndërsa për Detin Territorial, për këtë ishull, palët kanë pranuar automatikisht gjerësinë prej 12 miljesh, sepse distanca e këtyre dy vendeve është më e madhe se 24 milje.
Më 13 Qershor 2020, Italia dhe Greqia nënshkruan marrëveshjen për delimitimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike, e cila konfirmon vijën delimituese të marrëveshjes së 1977-ës. Kjo marrëveshje lejon flotat respektive të peshkimit që të operojnë përtej vijës delimituese të Zonës Ekskluzive Ekonomike, por pa hyrë në ujërat territoriale respektive, në pajtim me acquis e BE-së. Ndarja e Zonës Ekskluzive Ekonomike i mundëson të dy vendeve ushtrimin e të drejtave sovrane për përdorimin e energjisë eolike, kabllove të komunikimit nëndetar, kryerjes së kërkimeve shkencore dhe botës së gjallë.
Pavarësisht fokusit të saj kryesor në Egje, Greqia vijoi të angazhohet në arritjen e marrëveshjeve për delimitimin detar me fqinjët e tjerë. Fillimisht me Italinë, me të cilën ndajnë të njëjtën politikë në fushën e peshkimit, si vende anëtare të BE-së. Për të vazhduar më pas me Egjiptin, me nënshkrimin e marrëveshjes për delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike, më 6 Gusht 2020.
Interesant është fakti se vija delimituese që palët kanë ndërtuar në këtë marrëveshje është e pjesshme. Pika që nuk është mbyllur është zona detare përpara ishullit të banuar grek të Kastelorizos, i cili gjendet vetëm 2 km larg Turqisë. Mosmbyllja e plotë e vijës delimituese Greqi-Egjipt, vjen si rezultat i mospasjes së një marrëveshje Greqi-Turqi që do të përcaktonte efektin që do të kishte ishulli Kastelorizo në Shelfin Kontinental dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike. Ishulli Kastelorizo ndikon edhe në: (i) mundësinë e pasjes së një delimitimi të zonave detare mes Turqisë dhe Egjiptit; (ii) vijën delimituese detare Turqi-Qipro; (iii) vijën delimituese Greqi-Qipro.
Marrëveshja mes Greqisë dhe Egjiptit ka efekt direkt mbi memorandumin e nënshkruar mes Turqisë dhe Libisë, duke reflektuar realitetin gjeografik. Pra, vija delimituese Greqi-Egjipt është ndërtuar duke e nisur matjen nga Kreta dhe ishujt rreth saj Karpathos, Kufonisi, Kristi, ekzistenca e të cilëve në memorandumin Turqi-Libi nuk është marrë në konsideratë.
Në marrëveshjen mes Greqisë dhe Egjiptit pesha e ishujve grekë në delimitim, si për Shelfin Kontinental dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike është ulur deri në 10% përballë tokës kontinentale të Egjiptit. Duke qenë se distanca mes Greqisë dhe Egjiptit është shumë më e madhe se 24 milje, automatikisht, ishujt grek kanë marrë efekt të plotë të gjerësisë së Detit Territorial, pra 12 milje.
Egjipti ka pranuar një marrëveshje të pjesshme duke ruajtur neutralitetin e vet përkundrejt mosmarrëveshjes greko-turke. Ndërkohë që Greqia ka hequr dorë nga qëndrimi i saj tradicional për efekt sa më maksimal të ishujve, me qëllim sigurimin e një marrëveshje që defaktorizon memorandumin Turqi-Libi. Megjithëse ky memorandum është depozituar në OKB, pas nënshkrimit nga palët më 27 Nëntor 2019, si një shprehje e vullnetit politik të tyre, ai nuk ka të njëjtën vlerë ligjore me një marrëveshje ndërkombëtare.
Në kushtet kur Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen një gjykate ndërkombëtare për delimitimin e hapësirave detare, qasja e re e Greqisë në ushtrimin e të drejtës së detit dhe precedentët e krijuar, duhet të shërbejnë si mësim për ne, për një orientim sa më të mirë, me qëllim arritjen e një ndarje të drejtë e të ndershme në detin Jon.
Nuk duhet harruar se marrëveshja e vitit 2009 ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, injoroi në kurrizin tonë precedentin e vendosur që në vitin 1977, për uljen e peshës së ishullit Othonoi në Shelfin Kontinental përballë tokës kontinentale. Precedent ky i konfirmuar edhe në marrëveshjet e fundit Itali-Greqi dhe Greqi-Egjipt.
Marrëveshjet e mësipërme vlejnë për të kuptuar se pavarësisht legjislacionit të brendshëm për gjerësinë e detit territorial, përparësi merr gjithnjë e drejta ndërkombëtare e detit dhe pasqyrimi i parimit të 12 miljeve në tërrenin gjeografik përkatës.
Greqia ndan Det Territorial vetëm me Shqipërinë dhe Turqinë, sepse distancat ndërmjet brigjeve janë më të vogla se 24 milje. Për pasojë, në dallim nga rastet e mësipërme me Italinë dhe Egjyptin, ku parimi i 12 miljeve përfitohet automatikisht nga Konventa e të Drejtës së Detit të Montego Bay, pa pasur nevojën e përcaktimit të një vije delimituese për Detin Territorial, në rastet Shqipëri-Greqi dhe Greqi-Turqi duhet të përcaktohen edhe vijat delimituese në Detin Territorial.
Precedentët e vendosur, sidomos në rajon, janë orientues për pritshmëritë dhe rezultatet e procesit gjyqësor që do të zhvillohet me Greqinë për delimitimin e hapësirës detare. Ndaj, lipset një qasje sistematike e institucioneve tona për të punuar në vijimësi për përmbylljen e proceseve të delimitimit edhe me Italinë e Malin e Zi, si prioritet strategjik dhe pse jo krijimin e precedentëve nga ana jonë. Tek e fundit, ushtrimi i së drejtës së detit duhet të rikonfirmojë rëndësinë e dimensionit mesdhetar të politikës sonë të jashtme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!