Shans për kryeministër shqiptar në RMV? Podgorica: Pozita të barabarta me maqedonasit

schedule09:22 - 13 Korrik, 2020

schedule 09:22 - 13 Korrik, 2020

Analisti Gëzim Podgorica në “Abc e mëngjesit” foli për situatën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut.

Ai u shpreh se Bashkimi Demokratik për Integrimin është konsumuar, duke dalë me një tezë që në vetvete qëndron, por sipas tij nuk është kauza e duhur për tu prezantuar.

Analisti theksoi se duhet të kishte një program të detajuar, ndërsa shtoi se teza e kryeministrit shqiptar bie duke mos pasur një tezë të detajuar.

“Kjo tezë ka dalë si nevojë e konsumimit politik të BDI. Nuk është kauza për të udhëhequr zgjedhjet. BDI dhe të gjitha partitë e tjera duhet të kishin një platformë që i vendos shqiptarët në pozita të barabarta me maqedonasit. Për sa kohë që nuk ka një platformë të qartësuar edhe teza e kryeministrit shqiptar bie. Jo nga numrat. Nëse do të ketë një kryeministër shqiptar, kjo do t’i jepte një pozitë tjetër shqiptarëve atje. Në gjykimin tim është kërkesë legjitime. Një rrotacion i tillë nuk është i pamundur, por nuk kishte pse të ishte një tezë që do të udhëhiqte të gjithë fushatën e BDI”, tha ai.

Ndërsa Emin Ezemi, drejtor i gazetës koha u shpreh se me rëndësi është fakti se për herë të parë në Maqedoni oferta politike po shoqërohet me një veprim serioz, si kërkesa për kryeministër.

Gjithashtu ai shtoi se në politikë gjithçka është e mundur dhe mbetet për tu parë se si do të jetë rezultati.

“Me rëndësi është që për herë të parë në Maqedoni po faturohet oferta politike me veprim serioz, siç është kërkesa për kryeministër. Gjithçka është e mundur dhe pritet të shohim nëse do të jetë fituese apo jo. Sa i përket qasjes mediatike , mundohemi të mos sforcojmë teza politike në prag të zgjedhjeve. Por se sa kjo ide do të jetë në funksion të mobilizimit të votuesve, besoj se e ka edhe këtë mundësi. Jemi përballë një faktori të ri politik. Politikanët maqedonas për të kompensuar boshllëqet e tyre, fokusohen te tezat nacionaliste. Është vënë re se shqiptarët janë treguar indiferent”, u shpreh ai.