Nuk u duk thuajse fare.
Ndoshta po shprehemi pak ashpër, por Kristian Asllani nuk e la dot gjurmën e tij në ndeshjen e Interit në stadiumin “Tardini” të Parmës, ku ishte titullar.
Barazimi 2-2 I bëri gjërat që të duken edhe më keq, ndërsa mesfushori kuqezi u duk si I lënë në hije nga Çalhanoglu që u zgjodh gjithashtu në formacion.
Sa kohë që turku ishte në fushë, zikaltërit patën epërsi dhe arritën avantazhin 2-0 falë golave nga Mateo Darman dhe Markus Turam në pjesën e parë.
Në 66’, trajneri Inzagi e zëvendësoi Çalhën, për ta pasur më të freskët për Bajernin në Ligën e Kampionëve, dhe këtë e ndjeu edhe skuadra, edhe Asllani.
Parma kishte nisur reagimin me golin në 60’, shënuar nga Bernabeu, ndërsa barazimi erdhi 9 minuta më pas.
Në fund, Interi duhet ta konsiderojë veten me fat që nuk humbi, dhe vlerësimet për shqiptarin ishin negative.
“Skaj Sport” I jep vetëm notën 5.5 dhe vetëm kapiteni Lautaro Martinez ishte më poshtë, me 5.
Gjithsesi, disa nga lojtarët zikaltër morën notë veçse pak më lart se Kristiani, 6.
I ashpër komenti I “Eurosportit” me notën 5: Tepër I druajtur në pjesën e parë, konfuz në pjesën e dytë, ashtu si edhe pjesa tjetër e skuadrës! Ngel në klasë!
“Il Korriere dela Sera” ka sërish vlerësimin e ulët 5, dhe I kushton vetëm një fjali: Kur mbetet pa Çalhën, nuk ka më asnjë gjysmë ideje!”
Ka pasur ndeshje ku Asllani ka luajtur shumë më mirë, ndërsa nuk dihet edhe sa raste do të ketë deri në fund të sezonit.
Interi kryeson Serinë A me 68 pikë, 4 më shumë se Napoli që këtë të hënë ka sfidë të vështirë në fushën e Bolonjës./abcnews.al