Shano: Inflacioni është më i lartë nga sa raportohet, qeveria të mbështesë me para shtresat në nevojë

schedule19:33 - 17 Tetor, 2022

schedule 19:33 - 17 Tetor, 2022

Eksperti i ekonomisë dhe financave, Dritan Shano deklaroi në studion e “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, se e vetmja mënyrë që shtresat në nevojë të përballojnë krizën e çmimeve është paraja cash.

Ai theksoi se indeksimi i pensioneve që ka bërë qeveria nuk e mbulon rritjen e inflacionit, pasi çmimet e shportës janë disafish më të larta, ndryshe nga mesatarja 8.1% që nxjerrin institucionet qeveritare.

Sipas tij rritja e çmimeve ka sjellë dhe rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit, prandaj qeveria duhet t’i kthejë këto para sërish tek qytetarët dhe një pjesë për të mbuluar rritjen e çmimit të energjisë.

Pjesë nga biseda:

Xhokaxhi: Inflacioni ka pësuar rritje, kjo ishte e pritshme sepse është rritur në të gjithë botën. Çfarë masash shihni ju për zbutjen e inflacionit?

Shano: Masat që janë marrë janë ato masa që duhet të merrte çdo qeveri pa bujë, indeksimet me inflacionin nuk janë as masa, ato janë normaliteti më i madh i mundshëm. Ne kemi indeksim të pensioneve, inflacioni që pak më parë ishte 8.1% për shtatorin, por një individ shqiptar, jo pensionist, harxhon 48-52% të çdo 100 lekëshi që fiton, pensionisti harxhon edhe më shumë për tu ushqyer. Buka e gojës është 14%, bukë dhe drithëra 7.3%, vajrat 30%, pra inflacioni që i intereson qytetarit është disa-fish më i lartë se inflacioni mesatar. Rritjet që ofron qeveria e bëjnë të papërballueshëm nga pensionistët për të përballuar jetesën. Veshje dhe këpucë e ka inflacionin 3%, po ti mbledhësh këto del 8.1%, por inflacioni në Shqipëri është shumë më i lartë.

/Abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!