Gjatë fjalës së tij në Samitin e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi, kryeministri Edi Rama bëri një shaka me gazetarin grek, ku i tha se mendoni se jeni trashëgimtarë të Platonit dhe të Aristotelit, por nuk jeni.
Biseda:
Kryeministri Edi Rama: Si grek duhet ta njohësh mirë.
– Nuk e di sa më shumë mund ta njoh.
Kryeministri Edi Rama: Sepse prireni t’i nënvlerësoni pak njerëzit. Mendoni se keni monopolin e filozofisë dhe jeni trashëgimtarë të Platonit dhe të Aristotelit, por nuk jeni.
Kjo fazë e kryeministrit Rama si duket ka ngjallur reagime në shtetin fqinj. Për të hequr çdo tumnajë dhe spekulim, kreu i qeverisë me anë të një postimi në “X” tha se shakaja/ fjalia me nota humor është nxjerrë nga konteksti dhe është përdorur nga mediat greke si polemikë publike me pathos nacionalist.
“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!
Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!
Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!
U kuptuam? Shpresoj po.
Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!”, ka reaguar Rama.


