Në Tiranë po zhvillohet një turne i rëndësishëm ndërkombëtar i shahut. Ky turne vjen për herë të parë në kryeqytetin e Shqipërisë.
Jemi pjesë e vendeve frankofone, kjo edhe në sport. Në Tiranë po mbahet për herë të parë turneu ndërkombëtar i këtyre vendeve në shah. Ky aktivitet prestigjioz, që ka hyrë në edicionin e tij të gjashtë, zgjodhi këtë herë të zhvillohet në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar, nën drejtimin e Mjeshtrit të Madh Ndërkombëtar, Erald Dervishi, dhe organizuar nga Federata Shqiptare e Shahut. Sekretarja e kësaj federate, Majlinda Pilinci, jep këto sqarime.
Majlinda Pilinci, sekretare e Federates se Shahut: “Ky është edicioni i 6 i kampionatit ndërkombëtar të vendeve frankofone, i cili organizohet për herë të parë në Shqipëri. Përmbledh jo vetëm aktivitetin sportiv të shahut, por gjithashtu ka për synim një bashkëpunim kulturor të vendeve pjesmarrëse frankofone. Marrin pjesë 132 lojtarë të ardhur nga 22 vende, 68 janë shahistë shqiptarë.”
Ndër shahistët e vendit tonë, ka disa të njohur të brezit më të hershëm si Ilir Seitaj, Harallamb Boshku, Shkëlqim Çela apo Rozana Gjergji, por edhe emra të mëvonshëm si Eglantina Shabanaj, Bruna Tuzi apo edhe Klean Shuqja. Turneu është i rëndësishëm edhe për një arsye tjetër.
“Ka një rëndësi shumë të madhe ky aktivitet për hir të faktit që jemi në prag të Olimpiadës Botërore të Shahut. Përveç cilësisë së lartë sportive që ne kërkojmë nga ky aktivitet e kemi dhe si një periudhë përgatitore për pjesëmarrje në Olimpiadë.”/abcnews.al