Qeveria i ka bërë thirrje studentëve protestues, përmes zv/ministres Besa Shahini, që të mos pengojnë procesin e identifikimit të përfituesve nga vendimet e këshillit të ministrave. Shahini i ftoi që të marrin përgjigjet e pyetjeve që kanë në portalin qeveritar.
Pak orë përpara se Parlamenti ta ngrejë në detyrë nga zv/ministre në titullare të dikasterit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, njoftimin e dhënë nga shefi i qeverisë Edi Rama për hapjen e një dritareje në portalin shqipëriaqëduam.al ku studentët mund të drejtojnë pyetje lidhur me vendimet e qeverisë, e shoqëroi me një thirrje drejtuar atyre që nuk kanë pyetje, por kërkesa.
“Dua të nënvizoj që në fakultetet ku ka ende protestë, ku një grup i studentëve është duke penguar mësimin ka pasur raste ku sekretaritë janë penguar që të funksionojnë, apo janë penguar njerëz që të shkojnë.Aty e kemi pasur të pamundur që njerëz të ministrisë tju sqarojnë. Ju bëj thirrje studentëve që bllokojnë sekretaritë që t’i lejojnë anëtarët e ministrisë që t’ju assitojnë me pytejet që mund të keni. Nëse sekretaritë nuk punojnë ne nuk marrim dot informacionin e duhur për listat e studentëve që janë përfitues të bursave dhe përfitues të përjashtimeve të ndryshme nga tarifa. Sekretaritë e bllokuara po pengojnë procesin e mirëfilltë”, tha ajo.
Janë protestuesit ata të cilët po bllokojnë procesin e identifikimit dhe zbatimit të vendimeve për studentët, thekson Besa Shahini në atë që ishte dalja e fundit si zv/ministre e Arsimit./abcnews.al