Shahini: Pedagogët e universitetit po refuzojnë të ndjekin trendin e modernizimit

schedule20:24 - 18 Qershor, 2020

schedule 20:24 - 18 Qershor, 2020

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini pasditen e kësaj të enjte ka reaguar në lidhje me reagimet e shumta në lidhje me provimin e Letërsisë të Maturës Shtetërore.

Shahini thekson se i ka ndjekur me kujdes të gjithë reagimet e e disa pedagogëve dhe daljet e tyre në disa studio televizive në lidhje me kritikat er dhëna për provimin  e maturës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Shahini shkruan se kritikët e provimit të maturës janë edhe hartues pyetjesh për vlerësimin e mësuesve të rinj, të tipit: Romani “Zonja Bovari” i vendos ngjarjet në: a) Paris; b) Plazh, c) Provincë apo d) Lion … që janë dhe një nga pyetjet e provimit të shtetit në mësuesi që e gjeni në faqen e QSHA.

Ndër të tjera ministrja thekson që tashmë petagogët kritikë ndaj provimit të letërsisë ta kenë energjinë negative nëpër televizione dhe rrjete sociale, dhe tashmë të ulen dhe të reflektojnë për punën që po bëjnë në universitet dhe reformën e pashmangshme që duhet të zbatojnë para se studentët t’iu japin verdiktin “të tejkaluar”.

Postimi i plotë:

I kam ndjekur me shumë vëmendje mbireagimet e disa pedagogëve për provimin e Maturës Shtetërore. Kur e zhvesh këtë mbireagim nga petku politik dhe e adreson atë vetëm në aspektin e tij akademik, e kupton qartë se burimin e ka tek frika që këta pedagogë kanë ndaj kërkesave të kohës për një mësimdhënie dhe vlerësim shumë më të dobishëm se sa ai që ushtrojnë.

Pastaj, kjo frikë i nxjerr ata nga vetja dhe i çon nëpër debate televizive për të bërë edhe luftën e tyre të fundit kundër të pashmangshmit modernizim, i cili ka filluar tashmë në arsimin parauniversitar, por që nuk po arrin të dëpërtojë në arsimin e lartë.

Hendeku mes arsimit parauniversitar dhe atij universitar po shkon duke u zgjeruar, sepse reforma kurrikulare shkollore, me gjithë sfidat që ka në zbatim, po e çon arsimin drejt aftësimit të nxënësve për punë apo për jetë, duke zhvilluar jo vetëm njohuritë e tyre për lëndë të caktuara, por njëkohësisht edhe aftësitë për t’i aplikuar këta njohuri në praktikë. Ndërkohë, pedagogët e universitetit po refuzojnë kokëfortësisht ta ndjekin këtë trend.

Nuk mjafton vetëm të dish se kur dhe ku ka lindur Naim Frashëri apo çfarë simbolizon ai dhe veprat e tij për kombin tonë. Duhet të zotërosh gjithashtu edhe aftësinë të komentosh mbi veprat e Frashërit përmes eseve të mirë-argumentuara, si dhe të njohësh dallimin mes esesë argumentuese dhe asaj përshkruese. Sikurse nuk mjafton ta konsumosh letërsinë në mënyrë pasive dhe të vlerësohesh sipas saktësisë së identifikimit të personazheve apo riprodhimit përmendësh të elementëve kryesorë të veprës, por nevojitet lexim aktiv që rrit kuptueshmërinë.

Kritikët e provimit të maturës janë edhe hartues pyetjesh për vlerësimin e mësuesve të rinj, të tipit: Romani “Zonja Bovari” i vendos ngjarjet në: a) Paris; b) Plazh, c) Provincë apo d) Lion …

Kjo është një nga ato pyetjet e provimit të shtetit në mësuesi që e gjeni në faqen e QSHA. Dhe ta mendosh që janë edhe 200 pyetje të tjera të ngjashme…

Problemi me këto lloj pyetjesh është se nuk masin aftësitë që duhet të kenë mësuesit në shkollë. Ato masin vetëm memorien afatshkurtër të mësuesve, një bonus i mirë ky, por aspak thelbësor për ta!

Një pedagoge në një emision televiziv po thoshte se studentët e saj të mësuesisë – pra mësuesit e ardhshëm – nuk kanë ditur t’u përgjigjen pyetjeve në testin e maturës. Ajo e thoshte këtë duke u perpjekur të argumentonte se testi ka qenë “i vështirë ” apo “absurd”, por në fakt ekspozoi problemin kryesor që kemi me mënyrën se si universitetet përgatisin mësuesit e ardhshëm (apo edhe profesionistët e tjerë).

Ajo (besoj) nuk e kuptonte në ato momente sa fliste që shumica e maturantëve i janë përgjigjur saktë shumicës së pyetjeve në test, që do të thotë se janë më të përgatitur se studentët e saj që do të bëhen mësuesit e ardhshëm. Këta maturantë, ndërkohë, do të bëhen studentët e saj dhe do t’i kërkojnë mësimdhënie që ndërton aftësi të aplikimit të njohurive dhe jo vetëm memorizim pasiv të fakteve. E thënë ndryshe, ky është presioni që pedagogët po e ndjejnë: të ndryshojnë metodat e tyre të punës në dobi të së ardhmes së studentëve të tyre.

Shpresoj shumë që pasi nxorrën gjithë këtë energji negative nëpër televizione dhe rrjete sociale, tani të mund të ulen dhe të reflektojnë për punën që po bëjnë në universitet dhe reformën e pashmangshme që duhet të zbatojnë para se studentët t’iu japin verdiktin “të tejkaluar”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!