Sfidon “Charlie Hebdo”, publikon sërish karikaturat e profetit Muhamed: Nuk e ulim kokën!

schedule14:50 - 1 Shtator, 2020

schedule 14:50 - 1 Shtator, 2020

E përjavshmja satirike Sharli Hebdo ka ripublikuar karikaturat e profetit Muhamed të cilat e kthyen në një objektiv sulmi terrorist. Lajmi është konfirmuar nga vetë gazeta në prag të nisjes së procesit për atentatin që në janar të 2015-ës shkaktoi 12 viktima në redaksinë e saj. Drejtori i gazetës, u shpreh se nuk pranojnë të ulin kokën dhe nuk do të heqin dorë asnjëherë.

Për stafin e Sharli Hebdo ripublikimi i karikaturave ishte i domosdoshëm pasi pas janarit 2015 shumë persona kanë kërkuar realizimin e karikaturave të tjera të profetit Muhamed. Ata shprehen se kishin refuzuar jo sepse është e ndaluar pasi ligji ia jep këtë të drejtë, por sepse duhej një arsye e mirë për ta bërë, një arsye me kuptim dhe që do të shkaktonte debat.

Janë 14 të pandehurit që do të përballen me akuzat për mbështetje logjistike për dy vrasësit vëllezërit Said e Sherif Kouashi, dhe ad Amédi Culibali, tre autorët e sulmeve që për ditë të tëra terrorizuan Francën. Procesi do të filmohet në mënyrë që të ruhet në arkivë. I parashikuar për në fillim të verës, procesi gjyqësor u shty si pasojë e krizës shëndetësore dhe do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie në gjykatën e Parisit.

Në 7 janar 2015, vëllezërit Kuashi, xhihadistë, sulmuan me armë redaksinë e të përjavshmes satirike në qendër të Parisit, teksa po mbahej një mbledhje në redaksi dhe vranë 12 personave.

Mes viktimave ishin dhe krijuesit e vizatimeve Kabu dhe Uolinski. Dy terroristët arritën të largoheshin. Një ditë më pas një kriminel i radikalizuar në burg, Kulibali, vrau një agjente policie në Paris dhe në 9 janar vrau katër hebrenj gjatë një pengmarrjeje në një supermarket. Të tre u vranë nga agjentët specialë francezë

për dy muaj e gjysmë, që parashikohet të zgjasë procesi, gjykata do të dëgjojë 144 dëshmitarë dhe 14 raportues për të vendosur për rolin e të pandehurëve dhe se sa ishin në dijeni për sulmet e 2015-ës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!