“Sfidon” Brnabić: Kurti bën cirk, le ta provojë të padisë Serbinë për gjenocid

schedule16:35 - 13 Qershor, 2021

schedule 16:35 - 13 Qershor, 2021

“Albin Kurti tashmë duhet të padisë Serbinë për gjenocid, në vend që të kërcënojë dhe pengojë vazhdimisht përpjekjet e negociatave” tha Kryeministrja Ana Brnabić, duke sfiduar kështu kreun e qeverisë në Kosovë.

Në një intervistë për “TV Prva”, ajo vlerësoi se kryeministri Kurti është një “fanatik ideologjik” dhe se “gjithçka që u parashikua se do të ndodhte nëse Kurti do të përfaqësonte Prishtinën në dialog do të rezultonte e vërtetë”.

“Serbia kërcënohet me një proces gjyqësor për gjenocid. Le të jetë, le të kërcënohet, por le të shohim se çfarë ka për të thënë në atë proces gjyqësor dhe ne do të provojmë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë,” tha Brnabić mes të tjerash.

Ajo shtoi se Kurti “bën një cirk” në çdo takim dhe kujtoi se ai tha publikisht se dialogu nuk është përparësia e tij.

E pyetur nëse është e mundur të arrihet një konsensus në Serbi për qasjen për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ajo tha se “nuk ka shpresë” se diçka e tillë do të ndodhë. e.l/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!