“Sfidat e nxehta të Shtatorit”, 33 nismat e mbartura të Kuvendit

schedule14:30 - 6 Gusht, 2019

schedule 14:30 - 6 Gusht, 2019

Kuvendi do të rifillojë punë në 2 shtator, duke mbartur nga sesioni i shkuar 33 nisma, mes të cilave disa përbëjnë një përplasje të drejtpërdrejtë me Presidentin. Nga shkarkimi i Metës tek dekretet e tij për Kreun e KLSH-së, e nga reforma zgjedhore tek Paketa Antishpifje. Mes tyre ka ligje që presin në sirtar që nga viti 2016 që të marrin kartonët jeshilë të deputetëve.

Pushimet e deputetëve nuk do të zgjasin shumë.

Parlamenti do të fillojë punimet në 2 shtator, dhe vjeshta nuk do të jetë aspak e freskët në debatin politik.

Vec temave të reja që mund të hapë sesioni i ri politik, nga korriku janë mbartur 33 nisma nga të cilat 20 projektligje dhe 13 projektvendime që presin kartonët jeshilë të deputetëve.

Reforma Zgjedhore ka nisur që në vitin 2017. Ky është sesioni i 6-të i pritjes. Kjo super reformë është parashikuar të mbyllet në 28 nëntor, dhe nga aty shpresohet të nënshkruhet marrëveshja e re politike mes Ramës e Bashës, por që deri tani nuk ka asnjë shenjë përparimi.

Paketa anti-shpifje, një iniciativë e drejtpërdrejtë e kryeministrit që ka hapur debat jo vetëm brenda vendit, por ka nxitur edhe kritikat e OSBE-së, pritet të kalojë duke ndryshuar në dy ligje: atë për komunikimet elektronike e postare dhe ligji për median audio-vizive.

Një tjetër pikë e nxehtë e shtyrë për në shtator është ai për krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare që hapi debat publik se mund të ndikonte në një rritje të menjëhershme të çmimit të naftës për konsumatorët, e për këtë mazhoranca u tërhoq përkohësisht.

Mes ligjeve që kërkim të kartonit jeshil, më i sfilitur nga pritja është një nismë e Olta Xhaçkës dhe 30 deputetëve socialistë nga qershori i vitit 2016 për krijimin e Institutit të Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore.

Projektvendime në pritje të votimit janë 13. Më i rëndësishmi është shkarkimi i Presidentit. Komisioni hetimor ka marrë kohe deri në 3 tetor.

Ndërsa përballja me Metën vijon edhe me 3 Dekrete që Presidenti i ka dërguar për votim Kuvendit:

  1. Zgjedhja e Petraq Milos si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit
  2. Ligji i Kadastrës i kthyer për rishrytim
  3. Ligji për Noterinë

Socialistët po ashtu do të duhet të vendosin për shkarkimin e Arben Malajt si Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, si dhe për plotësimin e disa vendeve bosh në bordet e disa institucioneve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!