Sfida ndaj Çekisë/ Shqiptarët “turren” për bileta, mbi 200 mijë tifozë duan të futen në stadium

schedule12:05 - 14 Shtator, 2023

schedule 12:05 - 14 Shtator, 2023

Nëse në gusht entuziazmi ishte i madh, tani është kthyer në ethe.

Kombëtarja shqiptare ka krijuar një iluzion të fortë tek tifozët se është shumë pranë finaleve të Europianit 2024, dhe kjo ka bërë që kërkesa për bileta për ndeshjen e radhës të jetë përtej çdo imagjinate.

Në 12 tetor kuqezinjtë luajnë ndaj Republikës Çeke në Tiranë, dhe burime në Federatën Shqiptare të Futbollit tregojnë se interesimi për të qenë në “Arenë” është tepër i madh.

Sipas këtyre burimeve, kërkesa është afërsisht sa dhjetëfishi i kapacitetit të stadiumit kombëtar, që do të thotë për mbi 200 000 bileta.

Jo vetëm kaq, por siç është normë në Shqipëri, nuk mungojnë kërkesa nga institucionet shtetërore, nga trupi diplomatik dhe nga kompani të fuqishme private.

E gjitha kjo ka bërë që Federata të mos vendosë ende t’i nxjerrë në shitje “hyrëset” për në Arenë, proces që besohet se do të jetë vetëm online.

E njëjta gjë ndodhi edhe për ndeshjen me Poloninë, kur asnjë biletë nuk u shit fizikisht në biletarinë në stadium.

Siç ndodh në rastet kur kombëtarja fiton, pritet që në “Arenë” të jetë trupi diplomatik, por edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa biletat besohet se do të dalin në shitje ditët e ardhshme.

Kombëtarja është e para në grupin E me 10 pikë në 5 ndeshje, ndërsa Çekia është e dyta me 8 pikë në 4 sfida./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!