Mbrëmjen përveç ndeshjeve të Europa League do të luhen edhe ndeshjet e Conference League, ku një nga ndeshjet që do të zhvillonte është edhe përballja mes Leicesterit dhe PSV-së.
Një takim që pritet të jetë i luftuar me dy skuadrat që kërkojnë të vazhdojnë rrugëtimin e tyre në këtë kompeticion, pasi mes tyre do të luhet takimi për fazën çerekfinale.
Për këtë takim ka folur edhe lojtari i PSV-së, Mario Gotze, i cili ndër të tjera tregoi edhe një “peng”, ku tregoi se mund të luante në Premier League dhe të ishte një lojtar i Liverpool nëse do të kishte pranuar ofertën e ofruar nga Jurgen Klopp.Këtë e ka zbuluar vetë futbollist gjerman, siç ka bërë të ditur “Daily Mail” .
“Jemi akoma në kontakt dhe në atë kohë kemi folur për mundësinë që të shkoja te Liverpool-i. Megjithatë, unë nuk kam qenë në një gjendje të duhur mendore për ta marrë në konsideratë atë opsion. Kjo është arsyeja pse nuk ka ndodhur.
Nëse jam i penduar? Është gjithmonë e vështirë të shikosh mbrapa, por nëse më pyet tani, po, duhej të kisha shkuar sigurisht te Liverpool-i. Kam marrë një vendim të gabuar, por nuk është një peng i vërtetë”, ka thënë Gotze duke iu referuar kohës kur vendosi të largohej nga Bayern në 2016-ën për t’u transferuar te Borussia Dortmund.
Gotze ka folur më tej në lidhje me marrëdhënien e tij me Klopp, me të cilin ka debutuar te verdhezinjtë: “Klopp ka qenë trajneri që ka patur ndikimin më të madh në karrierën time. Mund të jetë shumë kërkues: mund të jetë miku yt, por edhe shumë i ashpër në të njëjtën kohë. Të shtyn të bësh paraqitje të mëdha. Kjo është ajo që ka ndodhur me mua atëherë, dhe ka ndodhur me Liverpool-in tani. Është një trajner jo vetëm për lojtarët, por për të gjithë klubin. Nëse mund ta imagjinoj të punoj përsëri me të? Po, mund ta imagjinoj, të shohim”. /f.a/abcnews.al