Tirana luan me Besiktas për turin e dytë kualifikues në Conference League. Ndeshja e parë luhet në Stamboll të enjte më 20:00, teksa një javë më pas bardheblutë presin turqit në Tiranë. Në prag të një dueli kaq të fortë, trajneri Orges Shehi i Tiranës ka thënë se jo gjithmonë fiton më i forti dhe se grupi që ka në dispozicion është i plotë.
“Gjendja e skuadrës është e plotë, sigurisht që ka optimizëm sepse kemi kaluar një transfertë të vështirë, por akoma më e vështirë është kjo që na pret tani së shpejti”, ka theksuar trajneri i bardhebluve.
Për Shehin çdo skuadër ka shanset e veta në fushë dhe Tirana nuk duhet të futet me frikë.
“Është e vërtetuar që nuk fiton gjithmonë më i forti. E dimë që do të luajmë përballë një skuadre të fortë, e dimë që shanset i kanë më shumë ata, por sigurisht në futboll çdo skuadër luan shanset e veta”, vijoi durrsaku.
Trajneri është më këmbë në tokë, duke vlerësuar cilësitë e gjigantit turk.
“Besiktasi tani nuk ka luajtur ndeshje zyrtare, ka luajtur vetëm dy miqësore që ne me aq mundësi sa kemi, i kemi ndjekur. Mendoj se Besiktasi ka shumë më shumë kualitet se Batumi, por mund të ketë dinamikë tjetër në rrjedhën logjike të lojës”, tha Shehi./ h.ll/abcnews.al