Sfida e të sëmurëve me tumor, në këmbë bashkë me të bijën për të shkuar në QSUT

schedule18:18 - 17 Prill, 2020

schedule 18:18 - 17 Prill, 2020

Nuk është një sportist, por këto kohë i duhen këmbë më të forta. Ky zotëri është i detyruar të përshkojë 3 orë rrugë për të dërguar vajzën 22 vjeçe për kurim, në shërbimin Onkologjik në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, në Tiranë dhe për tu kthyer në shtëpi.

 “Kam vajzën trajtohet me kimioterapi, ka seancën eko- abdominale për të bërë. Tani po pres të përfundojë vizita. Vajza është 22 vjeç, e diagnostikuar me Melanoma. Që në vitin 2018 ka kaluar seancën e operacionit dhe tani na kanë sugjeruar seanca kimioterapie”, u shpreh ai.

Nuk ka asnjë mënyrë tjetër veç këmbëve për të lëvizur nga Instituti Bujqësor në Kamzë ku ka shtëpinë deri në QSUT. Distancën duhet të përshkojë bashkë me të bijën e sëmurë.

Kam ardhur në këmbë që nga Instituti Bujqësor dhe deri këtu. Rrugën në këmbë e kam bërë bashkë me vajzën, rreth 1 orë e gjysmë. Edhe për tu kthyer po në këmbë, nuk kam çfarë të bëj”, u shpreh ai.

Ndërsa kjo zonjë vjen nga Fushë- Arrëzi. Shoqëron bashkëshortin që ka nevojë për ndihmën e mjekëve. Na tregon se ka faturuar një taksi, por që ajo të lëvizte drejt Tiranës i janë dashur dy ditë orvatje për tu pajisur me leje.

“Kam sjellë bashkëshortin, ka probleme me ezofagun. Vizitën  e kam planifikuar, por tani duhet të vijmë me taksi që kur janë ndaluar lëvizjet. Marr letër në polici, te spitali. Duhet ti bëjmë dy ditë përpara, sepse me internet si thotë Edi Rama, tek ne nuk është i zhvilluar interneti. Telefonat janë shtrenjtë”, u shpreh ajo.

Kjo nuk është hera e vetme që iu duhet të vijnë para dyerve të spitalit. Shumë prej tyre iu duhet të kthehen sërish.

“Nga fshatrat e Lushnjës, kam marrë makinë sa të bëjë të bëjë rruga, jam pensioniste. Nuk kam çfarë të bëj”, thotë një tjetër qytetare.

Nëse këta qytetarë e ka gjetur një mënyrë për të ardhur në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”  për të marrë shërbimin e mjekut, shumë të tjerë në pamundësi iu duhet të qëndrojnë në shtëpi e të presin për kohë më të mira./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!