Teksa sot pritet të luhet sfida mes Dinamos dhe Partizanit, policia ka marrë një sërë masash për të ruajtur rendin publik.. Sipas policisë duke nisur nga ora 14:00 deri në përfundim të ndeshjes do të bllokohen rrugët rreth stadiumit.
Mes të tjerash policia njofton se do të kontrollohen tifozët ndërsa ata problematikë nuk do të lejohen të futen në stadium. Ndeshja mesa Dinamos dhe Partizanit pritet të luhet në orën 16:45 në “Air Albania”.
Njoftimi i policisë:
Policia e Tiranës, plan masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Dinamo-Partizani, që do zhvillohet më datë 27.01.2022, në orën 16.45 në stadiumin “Air Albania”.
Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë jo vetëm në ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë saj.
Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve rrugore, gjatë momentit të kalimit të tifozëve.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 14.00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:
* Rruga “Lek Dukagjini” përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Do të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve, si më poshtë:
Lëvizja e tifozëve të Dinamos:
* Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – Rruga “Bajram Curri” – Rruga “Papa Gjon Pali II” – stadium.
Lëvizja e tifozëve të Partizanit:
* Pallati i Operas – bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – Sheshi ”Nënë Tereza”- rruga “Lek Dukagjini” – stadium.
Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.
Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit dhe pa dokument që vërteton lidhjen e tyre. Nuk do të lejohen të futen në stadium tifozë me fytyrë të mbuluar.
Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë.
Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo kryejnë veprime antisportive.
Policia e Tiranës edhe njëherë apelon për tifozëritë e dy skuadrave që të zbatojnë rregullat dhe ligjin. /abcnews.al/