Superliga shqiptare nis sezonin e saj të 81-të në histori. Përballjet e javës së parë janë të forta, por problemet janë të shumta, me mjaft skuadra ende të papërgatitura.
Futbolli është festë dhe kjo në Shqipëri do të fillojë sot.
Zë fill edicioni i 81-të me ndeshjen mes Kukësit e Partizanit në “Elbasan Arena”, veçse spektakli duket tepër i zbehtë që në fillim.
Të paktën katër skuadra janë thuajse plotësisht të papërgatitura, pasi e kanë nisur stërvitjen shumë vonë.
Skënderbeu, Flamurtari, Luftëtari e Vllaznia besohet se i fillojnë ndeshjet jashtë formës normale, përveçse kanë pasur edhe të papritura të tjera.
Në Vlorë, kanë ndryshime mbi 95 për qind tek lojtarët, por u ndryshuan edhe dy trajnerë ditët e fundit.
Në Gjirokastër njoftojnë se trajneri Klevis Dalipi u largua një ditë para ndeshjes, për mosdakordësi financiare, ndërsa në stol do të ulet drejtori teknik, Klodian Duro.
Në disa prej klubeve, si në Vlorë, Korçë apo Gjirokastër ka detyrime të prapambetura financiare, ndërsa mbahet mend mirë sesa telashe dolën gjatë edicionit të kaluar.
Më të përgatitur, Partizani, Kukësi, Laçi, Teuta, Tirana apo Bylisi, që I kanë nisur seancat prej kohësh, e disa prej tyre kanë qenë edhe në kupat e Europës.
Në javën e parë të kampionatit është ky kalendar.
Sot, Kukësi-Partizani në19:00, ndërsa nesër Vllaznia-Laçi në16:00, e Teuta-Bylis, Skënderbeu-Flamurtari e Tirana-Luftëtari në19:00. /ABC News Albania 24/7