Sezoni i pushimeve ul ritmin e vaksinimit, Nelaj apel të rinjve: Mbroni veten dhe familjarët

schedule16:14 - 5 Gusht, 2021

schedule 16:14 - 5 Gusht, 2021

Nga Ajgena Korbi

Me nisjen e sezonit të pushimeve ka rënë dhe ritmi i vaksinimit kundër koronavirusit.

Mesatarisht rreth 7 mijë persona në ditë kanë marrë dozën e parë ose të dytë anti-Covid gjatë gushtit.

Shifër kjo që nuk përmbush pritshmëritë e specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik.

“Duke marrë parasysh faktin që është muaj pushimesh, interesi është i lartë, por duhet të ishte edhe më i lartë edhe për vetë faktin që tani kemi edhe infeksionet me Delta. Individët duhet të jenë më të kujdesshëm dhe duhet të vaksinohen për t’i dhënë kohë vetes për t’i marrë të dyja dozat sepse duan distancën e tyre kohore. Në këtë mënyrë duhet të shohim edhe se si do të jetë shtatori, për të qenë të përgatitur dhe të mbrojtur”, ka thënë ajo.

Përgjegjësja e Programit Kombëtar të Vaksinimit, Erida Nelaj i bën thirrje të rinjve të vaksinohen për të qenë më të mbrojtur gjatë vjeshtës.

“Virusi transmetohet edhe nga një individ i vaksinuar, pra duhet që të gjithë të jemi të vaksinuar, nuk mund të neglizhojmë asnjë individ edhe brenda familjes, të gjithë duhet të jenë të vaksinuar”, është shprehur Nelaj.

Ndërkohë autoritetet shëndetësorë kanë zgjeruar kategoritë e personave që mund të marrin dozat e Pfizer.

Përveç atyre që vuajnë nga tumoret, sëmundjet autoimune, me të mund të vaksinohen dhe personat me probleme kronike neurologjike, të gjakut, mushkërive, zemrës, cirozë, veshkave apo diabet.

“Sëfundmi janë shpërndarë rreth 100 mijë doza në Shqipëri për të mbuluar vaksinimet e këtyre personave, ndërkohë që mjekët e familjes kanë marrë një udhëzim tjetër ku shtohen kategoritë e individëve për tu vaksinuar”, shtoi më tej ajo.

Në rreth 6 muaj fushatë në Shqipëri dozën e parë anti-Covid e ka marrë 30 % e popullsisë mbi 18 vjeç ndërsa me të dy dozat është vaksinuar 24% e qytetarëve. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!