Sezoni i parë në Superiore, Teco: Erdha të shkruaj historinë me Laçin

schedule15:58 - 31 Korrik, 2020

schedule 15:58 - 31 Korrik, 2020

Teldiano Junior, i njohur me emrin sportiv Teco, ishte një nga afrimet e Laçit verën e shkuar. Braziliani ka bërë një sezon të mirë, duke shënuar 6 gola, dy prej tyre në ndeshjen e fundit kundër Teutës. Kurbinasit u renditën në vendin e tretë në kampionat, për të dytën herë në histori.

Teco është shumë i lumtur për gjithçka ka përjetuar në eksperiencën e parë në Superiore dhe e thotë hapur në një prononcim të dhënë për “Futbol Interior”. “Jam shumë i lumtur për gjithçka më ka ndodhur këtë sezon. I jam falënderues Zotit për kampionatin e bërë.

Kam realizuar 6 gola dhe kam dhënë 5 asiste, ndërkohë që më e rëndësishmja ishte që arritëm qëllimin e klubit për të zënë një nga tre vendet e para dhe për të luajtur në kupat e Europës”, deklaron fillimisht Teco,  i cili pranon që ka pasur edhe vështirësi në fillim.

“Në fillim ishte pak e vështirë për t’u përshtatur, por tani jam përshtatur plotësisht. Jam krenar për gjithçka që po më ndodh këtu dhe kjo vjen si rezultat i punës së palodhur. Ishte një kampionat i veçantë, kemi bërë histori dhe për mua është krenari të futem në historinë e Laçit.

Kjo është ajo që kam menduar kur kam ardhur këtu, të shkruaj historinë”, përfundon Teco, i cili po pushon këto ditë dhe më pas do të zbresë në fushën e blertë për të menduar për sfidat e Europa League. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!