Qëndrimi që drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu mbajti në Komisionin e Sigurisë në Kuvend, për dhunën e ushtruar nga Policia ndaj një 15 vjeçari dhe linçimi që ai i bëri nënës së minorenit përmes publikimit të një videoje private, sipas Sevim Arbanës, aktivistes për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ishte një rast skandoz.
Në një intervistë për Abc News, Arbana tregon ngjarjen në sytë e një aktivisteje.
“Ngjarja në Kuvend ishte skandaloze. Kemi një drejtues të lartë të shtetit dhe i Policisë së Shtetit, i cili në mënyrën më maskiliste, injorante, jo profesionale shkel parimet bazë të të drejtave të njeriut. Duke filluar nga linçimi që i bëjnë policët djalit dhe që ai nuk e quan dhunë dhe deri te denigrimi publik, moral, social që i bën nënës së tij. Ai në mënyrën më monstruoze, patriarkale, maskiliste dhe të dhunshme tregon një video ku nëna ishte në një rol. Kjo pastaj ka të bëj me pjesën qesharake ku ndodhen drejtuesit e institucioneve shtetërore sot”, shprehet aktivistja.
Por po aq skandaloze sa sjellja e kreut të Policisë për Arbanën është edhe heshtja e deputetëve të Kuvendit, sidomos i grave deputete.
“Për ne si aktivistë të të drejtave të njeriut, aq më tepër kur linçohet një fëmijë dhe një grua, shohim se kemi një grup grash deputete të cilat absolutisht nuk kanë zë, janë të “vdekura”, ato nuk reaguan. Dhe kjo ishte ngjarja më tragjike e gjithë kësaj historie. Një prej atyre grave vjen edhe nga shoqëria civile, ndërkohë ato gra nuk reaguan në vend që të skandalizoheshin edhe nëse ajo video që u publikua do të ishte e vërtetë që kjo grua kishte bërë një foto apo video me armë. Historia është që ky nuk ka të drejtë të përgojojë apo të damkosë një grua”, deklaron Arbana.
Aktivistja për të drejtat e njeriut bën me dije edhe hapin e rradhës që ajo dhe anëtarë të shoqërisë civile do të ndjekin, duke kërkuar largimin nga detyra të kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
“Kemi një polic në kuptimin e parë të fjalës, unë kam shumë respekt dhe punojë me policët. Por ky ishte nga ta polic për të cilin tregojnë barsaleta. Ishte aq skandaloze ajo ngjarje. Ai rrëfim i tij në komisionin e parlamentit. Ne me forcë shumë të madhe i kemi kërkuar qeverisë që ky polic të dorëhiqet. Ka shumë djem të rinj që kanë mbaruar jashtë por edhe këtu që kanë konceptet bazike të të drejtave të njeriut. Policia nuk është dhunë. Policia jonë është kthyer në një polici fashiste”, përfundon aktivistja Arbana.
Per rastin ne fjale, kreu i Policise se Shtetit deklaroi se sjellja e tij u keqinterpretua ndërkohë që konfirmoi se do të vijojë të jetë në detyrë.
Ndërsa deputetja Elena Xhina, e cila i drejtoi pyetjen kreut të Policisë në një reagim në rrjetet sociale tha se u ndje në një situatë të vështirë ndaj edhe heshti përballë veprimit të Ardi Veliut./abcnews.al