Seuli: Koreja e Veriut dëshiron të zhvillojë negociata me SHBA

schedule16:35 - 25 Shkurt, 2018

schedule 16:35 - 25 Shkurt, 2018

Presidenca e Koresë së Jugut ka njoftuar se Peniani dëshiron që të negociojë me Uashingtonin dhe të përmirësojë mardhëniet. Kjo zbutje në qëndrim i Koresë së Veriut vjen në përfundim të Lojërave Olimpike Dimërore.

Koreja e Veriut dëshiron të mbajë bisedime me Shtetet e Bashkuara. Kjo është konfirmuar nga Seuli. Njoftimi erdhi pasi gjenerali Kim Yong-chol u takua me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, përpara ceremonisë së mbylljes së Olimpiadës Dimërore. Sipas zyrës së kreut të shtetit, zyrtari i Koresë komuniste theksoi se Veriu “u pajtua që bisedimet ndër-Koreane dhe marrëdhëniet Veri-SHBA duhet të përmirësohen së bashku”.

Peniani nuk ka dhënë akoma një koment për këtë. Por shpesh ka pranuar së dëshiron që të negociojë pa asnjë parakusht. Megjithatë, Uashingtoni ka saktësuar gjithmonë se përpara nisjes së bisedimeve Koreja Komuniste duhet të ndërmarrë hapa drejt denuklarizimit.

Ndërkohë, raportimi nga presidenca e Koresë së Jugut vjen pak orë pasi Veriu lëshoi një deklaratë lidhur me masat e reja të vendosura nga SHBA. “Sanksionet e reja amerikane kundër regjimit të Koresë së Veriut janë një akt lufte”, thuhej në deklaratë. Reagimi ishte një kundërpërgjigje për presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili njoftoi masat më të ashpëra të vendosura ndonjëherë kundër Koresë Komuniste. Sanksionet amerikane prekin mbi 50 kompani detare dhe aktivitetet tregtare me qëllimin e deklaruar për të penguar liderin Kim Jong Un nga zhvillimi i programit të tij bërthamor dhe raketor.

Ndërkaq, vajza e Trump, gjithashtu mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Olimpiadës Dimërore, por zyrtarët amerikanë kanë përjashtuar takimin me delegacionin e Koresë së Veriut. SHBA thotë se Koreja e Veriut u tërhoq nga një takim me Zëvendëspresidentin Mike Pence gjatë ceremonisë së hapjes të Lojërave Olimpike Dimërore. Afrimiteti korean është parë si një lëvizje nga ana e Penianit për të futur përçarje mes Jugut dhe SHBA-së./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!