Sërish tensione në Nagorno-Karabakh/ Forcat e Azerbajxhanit vrasin 4 ushtarë armenë

schedule10:48 - 28 Qershor, 2023

schedule 10:48 - 28 Qershor, 2023

Katër ushtarë armenë u vranë sot nga forcat e armatosura të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabakh. Ngjarja vjen në një moment kur Uashingtoni po pret që nga e marta negociata të reja midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Nagorno-Karabakut.

Sekretari i Shtetit të SHBA-së Anthony Blinken u takua ditën e djeshme me homologët e tij armenë Ararat Mirzoyan dhe Azerbajxhanin Jeyhun Bairamov përpara se të takoheshin të tre së bashku.

Bisedimet po zhvillohen me dyer të mbyllura dhe pritet të zgjasin deri të enjten.

“Ne vazhdojmë të besojmë se paqja është afër dhe se dialogu i drejtpërdrejtë është çelësi për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe dinjitoze” për të dyja palët, tha të hënën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller.

Dy ish-republikat sovjetike të Kaukazit janë përfshirë në dy luftëra, në vitet 1990 dhe 2020, mbi kontrollin e Nagorno-Karabakut, i cili njihet ndërkombëtarisht si pjesë e territorit të Azerbajxhanit, por e banuar kryesisht nga armenë.

Në luftën e parë, e cila vrau 30,000 njerëz, separatistët morën kontrollin e Nagorno-Karabakut dhe zonat përreth enklavës malore. Në luftën e dytë gjashtëjavore, e cila  shkaktoi 6,500 viktima, Azerbajxhani rimori territorin e kontrolluar nga Armenia për dekada dhe pjesën më të madhe të enklavës.

Një armëpushim u nënshkrua nën udhëheqjen e Moskës, e ndjekur nga vendosja e një force paqeruajtëse ruse. Megjithatë, tensionet mbeten të larta dhe negociatat për nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje nuk po përparojnë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!