Mbrojtësi i Interit, Milan Skriniar, ka rezultuar sërish pozitiv me Covid-19. Sllovaku u infektua gjatë grumbullimit me kombëtaren dhe kaloi karantinën në vendlindjen e tij. Ai u rikthye në Milano vetëm dy ditë më parë dhe menjëherë iu nënshtrua një tamponi.
Fatkeqësisht përgjigjja nuk ishte ajo që Skriniar priste dhe rrjedhimisht nuk mund të bashkohet ende me pjesën tjetër të skuadrës. Mësohet se 25-vjeçari tashmë ka një gjendje virale më të lehtë, por ai mund të rikthehet të luajë vetëm kur të rezultojë negativ.
Ish-lojtari i Sampdorias do të vazhdojë të stërvitet individualisht. Skriniar duhet të rezultojë negativ 48 orë para një ndeshje në Serie A për të luajtur, ndërsa në Champions League tamponi vlen vetëm për 24 orët e fundit. Gjithsesi, është e sigurt se qëndërmbrojtësi do ta humbasë ndeshjen e kësaj të shtune me Parmën. /abcnews.al