Dita e sotme ka qenë sërish ditë protestash në Lindjen e Mesme, në kufirin mes Gazës dhe Izraelit. Gjatë manifestimeve trupat izraelite kanë hapur zjarr duke i marrë jetën një adoleshenti.
Një djalë 15-vjeçar është qëlluar për vdekje gjatë luftimeve të verifikuara të premten në kufirin mes Rripit të Gazës dhe Izraelit. Lajmin e ka bërë të ditur ministria palestineze e shëndetësisë, e cila ka saktësuar se adoleshenti është qëlluar me një plumb në stomak.
Si çdo të premte të 12 muajve të fundit, edhe këtë herë mijëra palestinezë u dhanë jetë manifestimeve përgjatë kufirit, në kuadër të asaj që njihet si “Marshimi i madh i rikthimit”, që nënkupton kthimin në kolonitë e zaptuara nga Izraeli.
Burime lokale kanë bërë të ditur se demonstruesit iu kanë vënë flakën disa gomave dhe kanë gjuajtur topa me zjarr në drejtim të qytetit të Negevit. Nga ana e tyre, ushtarët izraelitë janë përgjigjur me gaz lotësjellës dhe plumba gome për të parandaluar që manifestuesit të kalonin barrierat kufitare dhe të hynin në territorin hebre.
Tensionet në zonën kufitare janë rritur pasi një raketë e qëlluar nga Gaza më 25 mars plagosi 7 ushtarë izraelitë në veri të Tel Avivit. Izraeli reagoi me një valë sulmesh ajrore ndaj objektivave që i përkisnin lëvizjes së Hamasit, grupi islamik që kontrollon enklavën bregdetare.
Dhuna ndërkufitare luajti një rol edhe në zgjedhjet e Izraelit, që u mbyllën këtë javë me fitoren e kryeministrit Beniamin Netanjahu./abcnews.al