Sërish gjuri “i mallkuar”, Muzaka duhet të ndajë mendjen!

schedule17:14 - 11 Tetor, 2019

schedule 17:14 - 11 Tetor, 2019

“Mungesa e Muzakës ka bërë që të kemi një boshllëk të madh. Ai është kapiteni dhe prezenca e tij do sillte një tjetër Skënderbe”, deklaroi Ilir Daja para ndeshjes me Luftëtarin. Kapiteni ishte në fushë nga fillimi, por fati ishte kundër tij. Gjergji Muzaka u dëmtua dhe gjendja e tij nuk është e mirë.

Mesfushori ka këputur ligamentin e gjurit të majtë dhe ky sezon ka marrë fund për të. Gjashtë muaj pa futboll dhe më pas faza e rikuperimit. Te Skënderbeu e dinë shumë mirë se është e kotë të shpresojnë ta shohin në fushë gjatë këtij kampionati.

Duke parë edhe moshën e Muzakës, i cili ka mbushur 35 vjeç në shtator, mund të vihet në dyshim edhe e ardhmja e tij si futbollist. Mesfushori me karrierë të pasur normalisht do të duhet të mendohet mirë.

E ka pjekurinë për të marrë vendimin e duhur, pasi nuk do donte një kthim në fushat e blerta dhe më pas të “zvarritej”. Muzaka do ta lërë futbollin si burrat, me kokën lart. E gjithë kjo periudhë do i shërbejë për të reflektuar dhe për të vendosur. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!