Ishte mbrëmja e 24 nëntorit e katër viteve më parë.
Në “Allianz Stadium” të Torinos, në skenën më të madhe të futbollit europian, në Champions, një sulmues shqiptar spikati në mënyrë të veçantë.
Ishte Myrto Uzuni, i cili ishte përballë 5 herë fituesit të “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo dhe i shënoi gol “Bardhezinjve” të Juventus në emër të hungarezëve të Ferencvaros, me “yllin” e Kombëtares sonë, që festoi ashtu si idhulli i tij dhe ky festim bëri gjithashtu xhiron e botës.
Dy futbollistët do të jenë sërish përballë, tashmë me fanela të ndryshme dhe në një tjetër vend.
Skuadra e Uzunit, Granada ka njoftuar se në 4 gusht do të luhet një miqësore ndaj “gjigantëve” sauditë të Al-Nassr, me sfidën që do të zhvillohet në orën 19:30, në “Estadio Municipal Ciudad de La Linea”.
Uzuni prej dy sezonesh e gjysmë tashmë luan për spanjollët e Granada, duke fituar “Këpucën e Artë” të Ligës së dytë spanjolle dhe duke qenë sezonin e shkuar, shënuesi më i mirë i ekipit në La Liga.
Cristiano Ronaldo ndërkaq prej janarit të vitit 2023 luan për skuadrën e Al-Nassr, duke shënuar 64 gola në 70 ndeshje në të gjitha kompeticionet. /i.m /abcnews.al