Serbia “vuan” e i dhuron Zvicrës “biletën e artë”

schedule14:32 - 3 Dhjetor, 2022

schedule 14:32 - 3 Dhjetor, 2022

Fitorja e Zvicrës, mbrëmjen e djeshme ka shkaktuar debat e polemika të ndryshme, sidomos pas thirrjeve rraciste dhe provokimet e ngacmimet e lojtarëve serb, gjatë gjithë fragmenteve të lojës.

Gazeta prestigjoze “The Guardian” ka publikuar një artikull ditën e sotme, ku tha se e gjitha ishte një lojë “strategjie” dhe se Serbia ia “dhuroi” vetë Xhakës “buzëqeshjen” në fundin e lojës.

Artikulli i “The Guardian”

Jo që Xhaka nuk e meritoi këtë. Ai luajti mirë thellë në mesfushë, në një natë të nxehtë në “Stadiumin 974”. Ai e kontrolli ritmin kohë pas kohe. Ajo që është më e rëndësishme është se ai i kontrolloi zhurmat jashtë fushës, duke e drejtuar energjinë e errët, që gjithmonë duhet ta shoqërojë këtë përballje, me vetëkontrollin e një udhëheqësi veteran. Megjithatë, një udhëheqës veteran me njërën dorë në “tuta”.

Në fund, Zvicra depërtoi në mënyrë goxha të rehatshme në gjashtëmbëdhjetëshen e fundit me një humbje 3-2 të një ekipi serb që e harxhoi veten në pjesën e parë më kot. Por rrëfimi prapa ndeshjes do të jenë nxehja, momentet e fërkimeve dhe vërtet, mjeshtëria e vetë Xhakës për gjestin e fyerjes.

Ka pasur fjalë në këtë Kupë të Botës për futbollin që po shndërrohet në lojë të momenteve. Kjo ishte një lojë e mbushur me diçka shumë më komplekse, më të ngatërruarën e rrëfimeve, një tregim me tri vëllime për përçarjen e thellë etnike.

Prapëseprapë, në mesin e rrugës gjatë pjesë së dytë, ajo prapaskenë baroke u kap për një çast, një moment i vetëm, kur Xhaka u duk se kapi testikujt, si fyerje drejtuar bankës rezervë të Serbisë. Këtu ishte marrëdhënia Shqipëri-Kosovë-Serbi në një kornizë të ngrirë, një abetare historike për gjeneratën e TikTok-ut.

Pas lojës, Xhaka i minimizoi sugjerimet për tension në fushë, por ai mund të jetë në mesin e telasheve, nëse ndokush ndonjëherë do të arrijë që t’i përcaktojë faktet. Ishte një shenjë e shkëmbimit të fjalëve në shënjestër, e gjesteve të etiketuara si kundërpërgjigje. Asnjëra prej këtyre nuk erdhi si befasi.

Kjo ishte vetëm hera e dytë që këto dy shtete kanë qenë në një fushë futbolli së bashku. Pas herës së parë, më 2018, kishte zemërim ndaj gjestit të dridhjes së gishtave pas golit nga Xhaka e Xherdan Shaqiri, që i referohet shqiponjës në flamurin shqiptar. Të dy lojtarët kanë trashëgimi kosovare.

Kosova, që ka shumicë të madhe etnike shqiptare, e shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008. Një pjesë e madhe e botës e njeh atë. Serbia jo. Si gërshetim i ri, momenti i shqiponjës ndodhi në Kaliningrad, tokë e ndarë ruse nga Baltiku. Vladimir Putini është kundër Kosovës. Serbisë i pëlqen Rusia. Hmmm. A nuk do të duhej të ketë përfunduar historia?

Murat Yakin dhe zviceranët ishin munduar ta bënin më të mirën për ta larguar këtë tension nga e tërë kjo para lojës. Zor. Në kohën shtesë ndodhi një shpërthim i çiltër. Së pari, Xhaka dhe Vanja Milinkoviç-Saviç u bënë bashkë në një përballje hungëruese e me shtyrje gjoksesh. Pastaj ishin Xhaka e Aleksandar Mitroviç, të cilët u dukën të tërbuar. Dukej çështje e pazgjidhur. Mitroviç dukej sikur ishte duke bërë plan për një “mbledhje” tjetër në një datë të mëvonshme.

Bankinat ishin boshatisur pas momentit të Xhakës. Dragan Stojkoviç, mesfushor sulmues aq ëndërrimtar në kohën e tij, në fushën e një Kupe Bote edhe një herë. Ishte një mesazh ogurzi përmes sistemit të adresimit ndaj publikut, kur kishin kaluar 77 minuta, që i bënte thirrje turmës që të përmbahej nga të gjitha thirrjet e gjestet diskriminuese. Ndoshta kjo iu drejtua Xhakës.

Por edhe pa tërë këtë, kjo ishte një lojë zbavitëse, e hapur, paksa e egër. “Stadiumi 974” është njëri nga stadiumët më origjinale të Doha-s, një lloj simbolike urbane me tehe, me fasadë prej kontejnerësh të mallrave, që duket se është ndërtuar nga elita e të ndikuarve nga moda në Katar. Serbisë i duhej fitorja. Zvicra ndoshta do të mund të depërtonte me barazim.

Dhe, që nga fishkëllima e parë, ishte përshtypja sikur po e shikoje minutën e fundit të një barazimi 3-3 në kohën shtesë në një gjysmë-finaleje të Kupës së Botës më 1982. Kishe gjysmëpritje të shihje zviceranë të lënduar me këmbë thatanike, me çorape rreth kyçeve, serbë me fasha të gjakosura në kokë, një gjyqtar me shikim të egër, i veshur me rroba të zeza, duke bërë gjeste teatrale në mënyrë absurde.

Filip Kostiç u “lëshua” shpejt në të majtë, në mënyrë të pamëshirshme, futbollist që gjithmonë duket se po “vrapon” nga një tufë bletësh. Për ca kohë, kjo ishte Serbia Totale, ku fanellat e kuqe thjesht po shkonin para.

Edhe para sulmit të tyre të parë, Zvicra dukej me më shumë gjasa që të arrinte në skajin tjetër dhe të shënonte. Një shtytje në të majtë gjeti tepër hapësirë. Mbrojtësit me fanella të kuqe ranë në qendër, si duke e trilluar shokun. Topi u fut në rrjetë, në mënyrë të pashmangshme, nga Shaqiri.

Festimi ishte moment i tensionit dramatik. Me çfarë, saktësisht, kishim të bënim këtu? Shaqiri vrapoi drejt zviceranëve në tribuna, duke e goditur si “centaur” tokën me këmbë. Ai vazhdoi me një gisht te buzët, që goxha shumë përbën veprim të diplomacisë madhështore e shëruese në këtë zonë.

Mitroviç barazoi me një goditje të bukur me kokë, të varrosur me fuqinë e një burri që kokën e ka si këmbë, qafën si kofshë. Serbia kaloi në epërsi 2–1. Hmm. Ndoshta ata do ta mbyllin “pazarin” nga ky moment. Ta nxjerrin ajrin nga… oh. Zviceranët e bënë 2-2, pastaj 3-2.

Në vijën e tij anësore, Stojkoviç sillej i djersitur e duke “shkumuar”, i veshur me këmishë të kaltër e pantallona kostumi, si një baba i tejnxehur në një diskotekë që e ka përfunduar punën, por Serbia kishte mbetur pa “gaz” para shumë kohe.

Gianni Infantino, vetë politikan i përkushtuar, u është përgjëruar atyre që janë në drejtim që ta mbajnë politikën jashtë futbollit në këtë Kupë të Botës. Pastë fat në këtë qëllim!

/abcnews.al/