Serbia nis stërvitjet e forcave ajrore, fluturim edhe mbi Preshevë

schedule18:08 - 5 Gusht, 2018

schedule 18:08 - 5 Gusht, 2018

Një ditë pas skadimit të afatit për krijimin e Shoqatës së Komunave Serbe në Kosovë, Beogradi zyrtar ka njoftuar nisjen e një stërvitjeje të forcave ajrore, që do të përfshijë mes të tjerash jugun e Serbisë. Ndërkohë, zyrtari serb Marko Gjuriç ka deklaruar se shteti serb do të mbrojë interesat e tij në Kosovë.

Qeveria serbe ka bërë me dije se ditën e hënë do të nisë stërvitjen e forcave ajrore në rajonin e Nishit dhe në jug të vendit, ku ndodhet dhe popullsia shqiptare. Në njoftimin e tij Beogradi zyrtar ka bërë me dije se bëhet fjalë për një stërvitje të rregullt, që do të zgjasë deri më 10 gusht. Sidoqoftë, njoftimi vjen në një ditë kur autoritetet serbe, ato kosovare dhe ndërkombëtare i druhen një përshkallëzimi të tensioneve në veri të Kosovës për shkak të skadimit të afatit për krijimin e Shoqatës së Komunave Serbe. Drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriç ka deklaruar të dielën se Serbia do të mbrojë interesat e saj në Kosovë. “Dua t’i porosis të gjithë se Serbia do të mbrojë Trepçën, hidrocentralin në Ujman dhe nënstacionin në Valaçi. Për këtë nuk ka asnjë dyshim, pasi ai që prek Trepçën shkatërron themelet e ekzistencës së popullit serb në Kosovë”, ka deklaruar Gjuriç. Hidrocentrali i Ujmanit, i përmendur nga Gjuriç, ndodhet në komunën e Zubin Potokut, ku në ditët e fundit ka patur një prani të theksuar të trupave të KFOR-it. Sa i takon Trepçës, miniera e pasur ndodhet në veri të Kosovës, zonë e përfolur se do të jetë subjekt i shkëmbimit të territoreve mes Prishtinës dhe Beogradit, në këmbim të Luginës së Preshevës. Më herët gjatë së dielës presidenti Hashim Thaçi përjashtoi dhënien apo shkëmbimin e territoreve, duke ritheksuar se do të ketë vetëm korrigjim të kufijve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!