Serbia në prag të rivendosjes së shërbimit ushtarak

schedule18:14 - 14 Shtator, 2024

schedule 18:14 - 14 Shtator, 2024

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të shtunën se e ka miratuar rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe pret që këtë ta bëjnë qeveria dhe parlamenti i vendit ballkanik.

Gjatë një ceremonie të diplomimit të oficerëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë ai tha se “dua të besoj se të gjithë e kuptojnë sa kemi nevojë për një ushtri të fortë, se sa më shumë armë do të duhet të blejmë, të prodhojmë, sepse nuk është dëshira jonë që të sulmojmë askënd e as që do ta bëjmë, por duam t’i zmbrapsim ata që na kërcënojnë çdo ditë”, tha ai, por pa dhënë ndonjë provë se nga kush kërcënohet Serbia.

Shërbimi i detyrueshëm do të zgjaste 75 ditë, tha ai.

Serbia pezulloi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011 në mes të përpjekjeve për të profesionalizuar forcat e armatosura. Por, vendi tani duket afër rikthimit të shërbimit pas një fushate të gjatë në favor të tij, pavarësisht shqetësimeve se qeveria mund të përballet me vështirësi për të paguar faturën për një rekrutim masiv.

Tensionet janë ende të larta në rajonin e Ballkanit që u përball me shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë në vitet 1990. Edhe pse zyrtarisht neutrale, ushtria serbe ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë prej së cilës ka blerë shumicën e armatimeve të saj, duke përfshirë avionë dhe tanke.

Në fund të muajit gusht Serbia arriti një marrëveshje me Francën për blerjen e 12 avionëve ushtarakë të tipit Rafale, në atë që u pa si një ndryshim në rrugën e bashkëpunimit të saj me Rusinë në fushën e mbrojtjes.

Por, pak pas kësaj marrëveshjeje Beogradi dërgoi në Rusi zëvendësministrin e Serbisë Aleksandar Vulin për të siguruar presidentin rus Vladimir Putin se e vendi ballkanik, që zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është një aleat i Rusisë, që kurrë nuk do të vendosë sanksione kundër Moskës apo të anëtarësohet në NATO.

Tensionet janë të larta rreth Kosovës e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, që kundërshtohet nga Serbia dhe aleatet e saj Rusia dhe Kina.

Serbia ka mbajtur gjithashtu marrëdhënie të mira me NATO-n, trupat paqeruajtëse të së cilës janë vendosur në Kosovë që nga viti 1999, kur aleanca ushtarake perëndimore ndërhyri për t’i dhënë fund shtypjes së përgjakshme të shqiptarëve të Kosovës nga Beogradi.

Një rajon tjetër i paqëndrueshëm është Bosnja, ku udhëheqësi pro rus Milorad Dodik ka kërcënuar të shpallë të pavarur gjysmën e Bosnjës të kontrolluar nga serbët dhe ta bashkojë atë me Serbinë fqinje./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!