Serbia ndaloi Boksierët, Çeku: Do ndalojmë Aktivitetet e Federatave paralele në Kosovë

schedule15:01 - 25 Tetor, 2021

schedule 15:01 - 25 Tetor, 2021

Ndalimi i boksierëve kosovarë për të mos kaluar kufirin serb ishte një nga lajmet më të lexuara ditët e fundit. Boksierët kosovarë nuk lejohen të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të boksit që po zhvillohet në Beograd.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Në konferencën për media ai shprehet, “Për çudi nga Bashkimi Evropian nuk e kemi asnjë reagim për një rast të pastër të shkeljes të së drejtave bazike të sportistëve tanë. Njëkohësisht i bëjmë thirrje Federatës Ndërkombëtare të Boksit dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë që të reagojë në kërkesat e adresuara nga organizatat tona sportive dhe njëkohësisht të ndërmarrin masat e duhura ndaj organizatorëve të këtij kampionati për shkeljen e rregullave sportive. Nëse nuk ndërmerren masat e duhura, ne obligojmë që të trajtojmë dhe të ndjekim të gjitha rrugët ligjore kundër penalizimit të sportistëve tanë dhe shtetit të Kosovës për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të Boksit.

Në këtë konferencë Çeku theksoi se do ndalojnë zhvillimin e aktiviteteve sportive të klubeve serbe në Kosovë, nga Federatat paralele.

“Për fund, tashmë të gjithë e dimë që disa kohë në Kosovë funksionojnë struktura paralele të Federatave sportive të Serbisë, ligji i Sportit në Kosovë nuk lejon organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive nga Federatat paralele, për këtë qe disa herë Federatat tona sportive u kanë bërë thirrje klubeve sportive të komunitetit  serb në Kosovë që të integrohen  në strukturat tona organizative dhe të bëhen pjesë e aktivitetit legjitim sportiv në Kosovë. Gjatë ditës së nesërme do të mblidhet Këshillimi Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në sport, këshilli do të dalë me rekomandime konkrete të masave që ne duhet t’i marrim për ndalimin e aktivitetit sportiv paralel në shtetin tonë”, përfundoi Hajrulla Çeku. /f.a/abcnews.al