“Serbia ka dëmtuar qytetarët e saj”, kryetari i Zubin Potokut: Në kabinetin tim do të doja të kisha edhe nga shumica serbe

schedule16:35 - 6 Maj, 2023

schedule 16:35 - 6 Maj, 2023

Kryetari i zgjedhur i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri tha se ndjen keqardhje me deklaratat e BE-së pas zgjedhjeve në veri të Kosovës. Ndërsa KQZ i hapi rrugë konstituimit të institucioneve lokale në komunat në veri, BE kërkoi djegien e mandateve.

Në një intervistë për emisionin “Ballkan” në ABC News, Zeqiri nënkuptoi se pavarësisht kërkesës së BE-së ai do ta bëjë betimin. Ai tha se data dhe vendi ku do të mbahet kuvendi do të përcaktohet javën që vjen ndërsa shtoi se do të jetë në harmonizim me organet e drejtësisë.

“Ne jemi në përpjekje të organizmit për dhënien e betimit kështu që javën tjetër do të informojnë opinionin. Do të vendoset data dhe vendi ku do të mbahet kuvendet. E kam pritur me keqardhje deklaratën e Borrell-it sepse për mua ka dykuptimësi duke ditur bashkësia evropiane se në çfarë gjendje dhe duke pasur informacione se ku jetojnë qytetarët nëpër këto komuna, për mua ishte pak zhgënjyese ajo deklaratë sepse duhet t’i vijë fundi bllokimit të infrastrukturës ligjore të Kosovës nëpër këto komuna. Ndaj jam i befasuar me atë deklaratë. Mendoj se mund të lidhet edhe me shkarkimin e ekipit menaxhues nga kryeministri i Kosovës por ne jemi duke punuar dhe javën tjetër do të sqarojmë më shumë rreth datës së kuvendit.”, tha ai.

I pyetur se si kryetar çfarë iu ofron serbëve duke qenë se përbëjnë shumicën në komunat në veri, Zeqiri tha se do të donte që ata të përfshiheshin në kabinetin e tij qeverisës lokal. Megjithatë, ai shtoi se serbët do të duhet të sillen sipas ligjeve të Kosovës.

“Nuk ka ndonjë dallim sa i përket programit tim për të ndarë në grupe njerëzish apo etni. Unë do të punoj dhe do të ofroj administrimin e komunës në bazat e infrastrukturës ligjore që ofron komuna, ku secili qytetar ka komoditet maksimal në këtë sistem demokratik ndër më të avancuarit në Evropë.

Me dëshirë në kabinetin tim qeverisës lokal do të kisha pasur dëshirë të përfshiheshin edhe shumica serbe mirëpo të zbatojnë ligjin e Republikës së Kosovës. Ne nuk jemi kompetent të merremi me teka. Ne duhet të jetojmë me infrastrukturën ligjore që ofron Kosova dhe do të jemi të lumtur pa dallim feje apo grupacioni.“, shtoi ai.

Më tej ai shtoi se Serbia më shumë i ka bërë dëm qytetarëve të saj në veri të Kosovës.

“Neve këto kërcënimet nga shteti serb përmes intrumentit të tyre. Kujtoj që në këto situata edhe gjatë këtyre viteve, Serbia me ndërhyrje në këto komuna më së shumti i ka bërë dëm qytetarëve të saj. Por neve do të kryejmë punën tonë ashtu si na thërret ligji. Nuk do të shkojmë përtej asaj që ofron ligji.“, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!